Kaosi parlamentar, Shehu: Ja pse Begaj nuk duhej të ishte në Kuvend. Pakti Gjiknuri-Alibeaj, komplot që ende vazhdon

Deputeti demokrat Tritan Shehu për “Ora News” theksoi se reaksioni i opozitës është si pasojë e asaj që mazhoranca po bën në Kuvend.

“Ajo që po ndodh në Kuvend sot është si pasojë e asaj që po bën mazhoranca në dëm të opozitës dhe në kurriz të demokracisë”, u shpreh Shehu.

Lidhur me moslejimin e Presidentit të Republikës të mbajë një fjalim në Kuvend, ligjvënësi demokrat, theksoi se e ka të pamundur të kuptojë se pse z. Begaj vendosi të ishte sot në parlament.

“Kur Presidenti shkon në Parlament, njoftohen deputetët, vendoset në rendin e ditës së seancës plenare, njoftohet trupi diplomatik, por asgjë e tillë nuk ndodhi por u mbajt e fshehtë deri në momentin e fundit.

Por kjo ndodh sepse Rama kërkon të emërojë opozitën, duke krijuar një të tillë fiktive”, u shpreh ndër të tjera deputeti Tritan Shehu.

I pyetur lidhur me nismën e dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Enkelejed Alibeajt dhe thirrjen e tij këtë javë, Shehu theksoi se ky është një komplot që vazhdon nga Edi Rama dhe Lulzim Basha në dëm të opozitës reale.