NIS “LUFTA”/ Kuvendi i rikthehet “punës”, Begaj “arbitër” mes socialistëve dhe demokratëve  

Sot nis sesioni i ri parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë. Në orën 17:00 deputetët do të mblidhen për herë të parë për këtë vit të ri, ku pritet të betohen dy ministrat e rinj, Blendi Gonxhja dhe Adea Pirdeni.

Ndërsa do të betohet edhe deputeti i ri Plarent Ndreca që do të zërë vendin e ish-zëvëndëkryeministrit Arben Ahmetaj.

Por siç bëhet me dije, pjesë e seancës së sotme plenare pritet të jetë edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj që do të mbajë edhe një fjalim nga foltorja e Kuvendit.

Për këtë ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai shpreson që presidenti të mos përfshihet në një skenar të provokimit të opozitës. Bardhi i bën thirrje presidentit të garantojë respektimin e Kushtetutës si dhe të mos keqpërdoret nga mazhoranca si fasadë për një normalitet të rremë në Kuvendin e Shqipërisë.

Para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit sot në orën 17:00, Bledi Çuçi ka mbledhur grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Në fjalën e mbajtur para deputetëve, ai ka bërë një përmbledhje të sesionit të kaluar parlamentar të cilin e cilësoi si atipik për shkak të qëndrimit të opozitës me bllokim e skena dhune.

Çuçi tha se ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit synojnë të disiplinojnë mbarëvajtjen e seancave, teksa kërkoi nga deputetët e PS-së prezencë nëpër seanca për të mos cënuar kuorumin dhe votimet e ligjeve.

Më tej kreu i grupit parlamentar të PS-së kërkoi nga deputetët rritje cilësore të debateve në Parlament dhe pjesëmarrje aktive të deputetëve.

“Për këtë sesion dua sidomos edhe qasjen që duhet të ketë grupi ynë në lidhje me integrimin. Në kushtet kur kemi një axhendë europiane tashmë, fokusi nuk është vetëm te qeveria, por edhe te institucionet e tjera kushtetuese.

Ne si grup parlamentar në këtë sesion duhet të jemi instrument llogaridhënës i institucioneve të pavarura. Të krijojmë një mekanizëm që institucionet e pavarura të kenë një fokus të veçantë lidhur me rekomandimet që jep BE”, tha Çuçi ndër të tjera.

Lidhur me seancën e sotme, ai tha se pritet të kalojnë edhe dekretet për ministrat e rinj prandaj pjesëmarrja në votim nuk duhet të mungojë.