Në SPAK kundër AKSHI-t, Progni: Lufta për tenderat atje po shkakton rrjedhje të të dhënave, do ketë përplasje brenda AKSHI-t

Eksperti i Teknologjisë dhe Informacionit, Gent Progni është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme ku ka dëshmuar lidhur me padinë e bërë ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për sulmin kibernetik që goditi Shqipërinë muaj më parë.

Detaje nga ky proces eksperti i IT-së, Gent Progni i bëri me dije në studion e lajmeve në “Ora News”.

“Ndryshe nga hera e parë kur bëra padi, këtë radhë pata një ndjesi se kishte një seriozitet më të madh. U thirra për të dhënë detaje më shumë për kallëzimin që kam bërë për AKSHI-n dhe realisht mendoj se këtë radhë do të kemi një lëvizje konkrete për këtë kallëzim”, u shpreh Progni.

PJESË NGA INTERVISTA

Sipas asaj që ju keni bërë dhe padin, realisht a kërcënohen të dhënat e shqiptarëve?

Problematika që shikoj unë, SPAK-u duhet me patjetër dhe në mënyrë urgjente të fillojë hetimin dhe të fillojë bllokimin e akseseve në servera, sepse realisht edhe me atë që ndodhi para dy ditësh që ra sistemi i Prokurimeve dhe i Tatimeve, unë kam publikuar dhe një material të fundit ku të dhënat e Tatimeve, deklarimet e bizneseve janë fshirë apo edituar. Kjo sjell problematika shumë herë më të mëdha dhe mendoj që duhet me patjetër të ndërhyhet në institucionin e AKSHI-t që të mos kemi fshirje, editim dhe pse jo dalje të tjera të të dhënave.

Dhe sa e mundur është kjo?

Është shumë e mundur, sepse në postimin e fundit që kanë bërë në “Telegram” grupi i ashtuquajtur “iranian”, ata kanë thënë që ne kemi disa të tjera të dhëna që janë marrë ditët e fundit. Kështu që lufta e brendshme që po bëhet për punë tenderash dhe fshirje të dhënash në serverat e AKSHI-t, mendoj se kjo luftë do të sjellë përplasje brenda AKSHI-t dhe ata që do të dëmtohen nga kjo do të jenë vetë shqiptarët, të cilave do i dalin të dhënave të tjera.

Për çfarë akuzohet AKSHI?

Në padinë e tij, Progni ka akuzuar zyrtarët e AKSHI-t si fajtorë për dëmtimin e të dhënave masive të qytetarëve shqiptarë, si pasojë e mos-ndarjes së serverave.

Sipas Prognit aksesi i hakerave në një server të vetëm u ka krijuar atyre mundësinë e marrjes së të gjitha të dhënave.

Progni, pretendon se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shkelur detyrimet ligjore sipas standardit ISO 27001, ç’ka u ka krijuar mundësi hakerave që të vjedhin të gjitha të dhënat pasi kanë sulmuar një server të vetëm.

“Ne kemi kallëzuar për shpërdorim detyre të zyrtarëve të lartë. Kemi referuar për këtë kallëzim nene të ndryshme për mos-ruajtjen e të dhënave tona publike dhe cënimin e sigurisë kombëtare.

Kjo është e vërtetuar nga videot e publikuara nga halkerat në “Telegram”, ku tregohet shumë qartë që këto servera nuk kanë qenë të segreguara. Kjo ka ndihmuar në hakerimin e të gjithë të dhënave tona, pra kalimin nga një server në të gjithë serverat që administrohen nga AKSHI.

Kjo është bërë me dashje apo pa dashje, pasi nuk jemi ne në pozitën tat hemi sot, sepse kemi një terr shumë të madh informacioni, por kjo vërtetohet normalisht dhe saktësisht nga videoja e hakerave iranianë dhe kjo ka ndihmuar edhe në mbledhjen e të dhënave”, ka deklaruar eksperti i IT-së, Gent Progni lidhur me padinë në fjalë.