Taksimi i profesioneve të lira, ekspertja: Qeveria po thellon mos barazinë e taksimit në krahasim me bizneset e mëdha

Ekspertja e Ekonomisë Romina Radonshiqi e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” komentoi vendimin e qeverisë mbi taksimin e profesioneve të lira që ka nisur nga 1 janari i këtij viti.

Radonshiqi theksoi se qeveria me këtë vendim shkeli premtimin e bërë ndaj bizneseve të vogla të cilave u kishte premtuar që deri në vitin 2029 nuk do të taksoheshin.

“Profesionet e lira janë 28 lloje aktivitetesh që ndahen në afro 180 mijë profesione të lira. Këto profesione deri tani kanë qenë me taksim zero siç thotë qeveria këtë e ka shikuar si një mënyrë taksimi jo e barabartë.

Dhe arsyeja pse e shikojnë kështu ka të bëjë me faktin se nëse e krahasojmë me biznesin e madh, atë ky i fundit ka një takim mbi fitimin 15 % dhe një divident, pra tatimi mbi të ardhurat e ka 8 %.

Kështu që në parim duket se kjo krijon barazi, por në realitet nuk krijohet barazi dhe ka një problematikë edhe më të thellë, pasi profesionistët e lirë shprehen se ne duam t’i paguajmë tatimet.

Por mënyra se si e ka konceptuar këtë lloj tatimi dhe fakti se 30 % e këtyre shpenzimeve i njihet këtyre profesionistëve të lirë, duke mos i dhënë mundësi që ata të riinvestojnë, apo të kenë marzhe të fitimit të larta, të punësojnë punonjës dhe të rrisin pagat mes tyre”, analizoi ekspertja Romina Radonshiqi.