“U cënua siguria kombëtare”/ Eksperti i IT në SPAK për padinë ndaj AKSHI-t për sulmin kibernetik: Nuk na mbrojti
Eksperti i IT-së, Gent Progni do të paraqitet mëngjesin e kësaj të mërkure në Prokurorinë e Posaçme ku do të dëshmojë lidhur me padinë e bërë nga ai vetë për sulmin kibernetik që goditi Shqipërinë muaj më parë.
“Në orën 09:00 jam njoftuar nga SPAK të paraqitem për kallëzimin ndaj AKSHI-t. Nëse jeni kur të dal, të bëjmë ndonjë komunikim për mediat”, njofton eksperti i IT-së, Gent Progni.
Për çfarë akuzohet AKSHI?
Në padinë e tij, Progni ka akuzuar zyrtarët e AKSHI-t si fajtorë për dëmtimin e të dhënave masive të qytetarëve shqiptarë, si pasojë e mos-ndarjes së serverave.
Sipas Prognit aksesi i hakerave në një server të vetëm u ka krijuar atyre mundësinë e marrjes së të gjitha të dhënave.
Progni, pretendon se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shkelur detyrimet ligjore sipas standardit ISO 27001, ç’ka u ka krijuar mundësi hakerave që të vjedhin të gjitha të dhënat pasi kanë sulmuar një server të vetëm.
“Ne kemi kallëzuar për shpërdorim detyre të zyrtarëve të lartë. Kemi referuar për këtë kallëzim nene të ndryshme për mos-ruajtjen e të dhënave tona publike dhe cënimin e sigurisë kombëtare.
Kjo është e vërtetuar nga videot e publikuara nga halkerat në “Telegram”, ku tregohet shumë qartë që këto servera nuk kanë qenë të segreguara. Kjo ka ndihmuar në hakerimin e të gjithë të dhënave tona, pra kalimin nga një server në të gjithë serverat që administrohen nga AKSHI.
Kjo është bërë me dashje apo pa dashje, pasi nuk jemi ne në pozitën tat hemi sot, sepse kemi një terr shumë të madh informacioni, por kjo vërtetohet normalisht dhe saktësisht nga videoja e hakerave iranianë dhe kjo ka ndihmuar edhe në mbledhjen e të dhënave”, ka deklaruar eksperti i IT-së, Gent Progni lidhur me padinë në fjalë.


