Balla shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Emirit të Kuvajtit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Emirit të Kuvajtit, Sheikh Nawaf Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah.

Balla zhvilloi sot një vizitë në Ambasadën e Shtetit të Kuvajtit, ku i shprehu ngushëllime familjes, qeverisë dhe popullit mik të Kuvajtit.

“Ngushëllime familjes, qeverisë dhe popullit mik të Kuvajtit për ndarjen nga jeta të Lartësisë së tij Sheikh Nawaf Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, Emiri i Shtetit të Kuvajtit”, shkroi Balla në rrjetet sociale.

Lideri i Kuvajtit, sheiku Nawaf al-Ahmad al-Jaber al-Sabah, ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Sheiku i ishte nënshtruar trajtimit mjekësor që nga fundi i nëntorit. Ai pasoi gjysmëvëllain e tij, i cili vdiq në moshën 91-vjeçare, në vjeshtën e vitit 2020.

Qeveria e Kuvajtit dha dorëheqjen disa herë gjatë sundimit të Sheikh Navafit mes një sërë krizash. Pavarësisht se Kuvajti ka parlamentin më aktiv në rajonin e Gjirit, me ndikim më të madh në legjislacion sesa në vendet fqinje, pushteti është në duart e shtëpisë mbretërore.