Pse nuk shkuan deputetët e PD-së në mbledhjen e Këshillit të Mandateve? Ja si përgjigjet Berisha
Kuvendi do të votojë të enjten në seancë parlamentare për masën e arrestit ndaj Sali Berishës.
Vendimi u mor pas 4 orësh diskutimesh në Këshillin e Mandateve ku 5 votave të mazhorancës iu bashkua edhe Enkelejd Alibeaj i kampit të Lulzim Bashës.
I ftuar në emisionin “Drejt” përballë moderatorit Luan Rama në Ora News ish-kryeministri Sali Berisha argumentoi dhe mungesën e deputetëve të tij në këtë mbledhje.
“Shumë e drejtë pyetja, zgjodhën sepse sot nuk po paraqiteshin dosja dhe argumentat për Sali Berishë. E pohoi dhe vetë prokuori kur tha: Jo, tha, sot nuk jemi këtu për të paraqitur provat. Në një kohë kur Parlamenti kërkon detyrimisht paraqitjen e provave.
Këta nuk shkuan sepse prokurorët u paraqitën në Parlament për të legjitimuar veprimin e tyre të paligjshëm, për ta legalizuar një veprim të paligjshëm dhe për t’i imponuar Parlamentit sipas urdhrit të Edi Ramës rëndimin e masës se pse unë kisha mbrojtur Kushtetutën”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Mbledhje dhe protestë
Mbledhja e sotme e Këshillit të Mandateve zhvillua nën masa të forta të policisë. 700 efektivë rrethuan godinën për shkak të protestës së PD-së duke siguruar hyrjen e dy prokurorëve, por edhe të deputetëve.
Pas votimit të së enjtes në Kuvend, prokuroria do t’i drejtohet Gjykatës për të vijuar me masën e arrestit deri në përfundimin e hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.



