Berisha: Ata që votuan janë mercenarë që nuk kanë ligj e moral, nuk kanë asnjë provë

Kuvendi do të votojë të enjten në seancë parlamentare për masën e arrestit ndaj Sali Berishës.

Vendimi u mor pas 4 orësh diskutimesh në Këshillin e Mandateve ku 5 votave të mazhorancës iu bashkua edhe Enkelejd Alibeaj i kampit të Lulzim Bashës.

I ftuar në emisionin “Drejt” përballë moderatorit Luan Rama në Ora News ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ata që votuan janë mercenarë.

Mbledhja u zhvillua nën masa të forta të policisë.

700 efektivë rrethuan godinën për shkak të protestës së PD-së duke siguruar hyrjen e dy prokurorëve, por edhe të deputetëve.

Pas votimit të së enjtes në Kuvend, prokuroria do t’i drejtohet Gjykatës për të vijuar me masën e arrestit deri në përfundimin e hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Berisha: Parlamenti nuk merr kurrë një vendim ndaj deputeti pa vërtetuar provat. Ata nuk kanë asnjë provë. Ata janë mercenarë të cilët nuk kanë ligj as moral.

Në 3 vjet hetime, në një process që ka zgjat nga 94 në 2009 pra që vetkuptohet që duhet të këetë me qindra shkresa nuk gjen një të vetme me firmën e Sali Berishës. Unë sot kam këtu 4 vendime me firmën e Edi Ramës.