Ku kanë shkuar paratë e inceneratorëve? Mirel Mërtiri "shfaqet" nga arratia, por u devijon pyetjeve: Kam investuar më shumë se ...

I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare për çështjen e incineratorëve, Mirel Mërtiri u shfaq mbrëmjen e sotme në ekranet shqiptare.

Në emisionin Çim Peka LIVE ai tha se ka një arsye pse ka heshtur deri më tani.

"Unë jam një person që besoj te drejtësia dhe kjo është arsyeja pse nuk kam dalë në media të bëj deklarata dhe akuza të pavërteta.

Kam tre vjet që SPAK të bëjë drejtësi dhe të paktën për interesin publik, të dalë e vërteta, pasi investimet janë kryer të plota, veprat janë aty dhe askush nuk ka dalë prej SPAK-ut të thotë këto të vërteta, por ka krijuar vetëm situata, mashtrime nga fillimi deri në fund të kësaj dosje.

Pasi pritëm gjykatat dhe pritëm se çfarë do vendoste gjykata, duke e ditur se dosja ishte e kontaminuar, pra që provat janë të gjitha të manipuluara, i jam drejtuar SPAK-ut, më saktë në fillim Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas kryetarit të SPAK, Altin Dumani që të më jepet mundësia të jap deklarimet e mia për dosjen e inceneratorëve. Përgjigjet qesharake do i lexoni aty.

I jam drejtuar për të gjitha dosjet apo veprimet hetimore që po kryhen për impiantet e mbetjeve", tha Mërtiri.

Më pas ai u pyet direkt nga moderatori Çim Peka se a kanë kaluar 3.7 milionë euro në llogaritë e kompanisë së Lefter Kokës nga inceneratori i Elbasanit. Mërtiri e mohoi duke thënë se dokumentet janë falsifikuar nga SPAK.

‘Unë ua thashë që ato lekë nuk kanë kaluar te kompanitë e Lefter Kokës. SPAK i ka falsifikuar dokumentet dhe vlerat në të cilat këto kontrata janë zhvilluar", tha Mërtiri.

Mërtiri u devijon pyetjeve: Kam investuar më shumë se ç’duhet

Mirel Mërtiri iu shmang vazhdimisht pyetjeve direkte të moderatorit Çim Peka dhe të ftuarve Belind Këlliçi dhe Enton Abilekaj.

I pyetur direkt se ku kanë shkuar paratë e inceneratorëve, Mërtiri tha se janë investuar më shumë sa kontrata.

"Më bëre një pyetje që kërkon gjashtë përgjigje. Impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan, nga shoqëria janë investuar 22.6 milionë euro. Këto i gjen nga ekspertë vlerësues të SPAK.

Kalojmë te impianti i përpunimit të mbetjeve në Fier. Ka një raport vlerësimi tekniko-ekonomik, i kërkuar gjatë gjykimit të çështjes, ku thuhet: në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Fier, vlera sipas kontratës në euro 32 milionë euro. Vlera sipas realizimit në euro, 35 milionë euro. Më tepër investime të kryera sesa lekë të marra", tha Mërtiri.

I pyetur për inceneratorin e Tiranës, Mërtiri tha: "Ne po flasim për çështje që janë në hetim. SPAK më akuzon jo si pronar, por si pronar de facto të inceneratorit të Tiranës. A e dini ju se në legjislacionin shqiptar, çfarë është fjala pronar de facto?"

I pyetur se kush e ka firmosur kontratën e tij si përfaqësues i kompanisë Geogenix, ai refuzoi të përgjigjej me emra konkretë.

"Nuk do përmendim emra sonte, por më duket se ju po e kërkoni sot me ngulm. Unë nuk dal dot nga vetja", tha Mërtiri.

/Syri.net