Balla: Drejt finalizimit Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024-2030

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përshëndeti përfaqësuesit e IOM në 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në organizatë, që përkon me “Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve e Ditën Kombëtare të Diasporës”.

Ai bëri një panoramë të marrëdhënieve me IOM, ndihmën dhe ndikimin thelbësor që ka patur mbështetja e kësaj organizate në menaxhimin e fenomeneve migratore.

“Pa asnjë dyshim historia e Shqipërisë është e lidhur ngushtësisht me Migracionin. Lëvizjet migratore kanë prekur Shqipërinë që në kohën e periudhës osmane, apo dhe gjatë mbretit Zog.

Madje as regjimi totalitar komunist, edhe pse instaloi një izolim të plotë, nuk arriti të ndërpresë tërësisht këtë lëvizje.

Vitet e para postkomuniste dhe ndryshimet demokratike natyrshëm u shoqëruan nga një eksod masiv i shqiptarëve drejt vendeve perëndimore.

Mbas viteve ’90, gati 40 % e stafit akademik të instituteve shkencore dhe universiteteve u larguan nga Shqipëria.

Sot, pothuajse 1 në çdo 2 shqiptarë ka një histori personale emigrimi”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

Ministri Balla vuri në dukje se aktualisht po finalizohet Strategjia Kombëtare për Migracionin 2024-2030 që shoqërohet edhe me Planin e Veprimit (2024-2026), dokumente të cilat janë hartuar me mbështetjen teknike dhe financiare të IOM.

“Strategji synon të çojë përpara arritjet në zbatimin e strategjisë së mëparshme dhe do të jetë udhërrëfyesi ynë deri në fund të kësaj dekade.

E theksoj rëndësinë e saj për një sërë arsyesh, që kanë të bëjnë më rëndësinë që migracioni dhe mirëqeverisja e tij ka për shoqërinë shqiptare”, deklaroi Balla.

Ai shprehu gjithashtu angazhimin e Ministrisë së Brendshme për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me IOM në kuadër të prioriteteve të qeverisjes së migracionit në Shqipëri.