Paketa “Siguria në shkolla”, Balla: Objektiv, parandalimi i kriminalitetit tek të rinjtë
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për paketën “Siguria në shkolla”.
Në drejtimin e zëvendëskryetares Evis Kushi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi mbledhjen e radhës në platformën online “Zoom”.
Në këtë mbledhje, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për paketën “Siguria në shkolla”.
Gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të komisionit, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u shpreh se, kjo nismë lindi nga nevoja për të garantuar sigurinë e fëmijëve përtej murit apo oborrit të shkollës, duke shtrirë rrjetin e sigurisë edhe në të gjithë zonën e perimetrit rreth shkollës së frekuentuar.
“Objektivi ynë kryesor në ndërmarrjen e kësaj nisme ishte pikërisht parandalimi i kriminalitetit dhe i përdorimit të substancave narkotike në radhët e të rinjve, si dhe goditja pa kompromis e rrjetit të shpërndarjes së drogës në perimetrin e sigurisë në të gjitha shkollat në rang vendi”, u shpreh Balla.
Ministri i Brendshëm u shpreh se, paketa e sigurisë në shkolla përkthehet edhe në një qasje të re penale në raport me veprat që vënë në rrezik apo cenojnë sigurinë e fëmijëve brenda këtij perimetri sigurie.
“Ndryshimet ligjore të propozuara në Kodin Penal, në kuadër të kësaj pakete, parashikojnë ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen në mjediset e institucioneve arsimore ose në perimetrin e sigurisë së tyre, për vepra penale veçanërisht të rrezikshme për të rinjtë”, u shpreh Balla.
Balla nënvizoi se, në kuadër të kësaj pakete, që në fillim të vitit të ri shkollor, Ministria e Brendshme ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të përfshira në çështjet e sigurisë, për marrjen e masave të shtuara sipas fushës së përgjegjësisë për garantimin e sigurisë në perimetrin rreth shkollave.
“Konkretisht, i është kërkuar Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), kontrolle të shtuara në të gjithë vendin në operatorët e shërbimit ushqimor të kategorive të ndryshme që veprojnë në Perimetrin e Sigurisë së shkollave lidhur me kushtet e sigurisë ushqimore; Bashkive dhe IKMT-së, u është kërkuar të kryejnë një plan inspektimesh të koordinuara për verifikimin e situatës në perimetrin e sigurisë së shkollave: duhet të sigurohemi që brenda perimetrit të sigurisë së shkollave, të respektohen rregullat e sigurisë së ndërtimit, të mos ketë rrënoja a papastërti të çdo lloji për një mjedis të shëndetshëm; është kërkuar nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, monitorimi i zbatimit të normave higjieno-sanitare në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare”, nënvizoi Balla.
Më tej mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi me pyetje dhe diskutime lidhur me paketën “Siguria në shkolla”.
