Arben Kraja kërkon masën arrest shtëpie për Sali Berishën në Këshillin e Mandateve
Prokurori i SPAK, Arben Kraja prezantoni në Këshillin e Mandateve kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë me heqje lirie për Sali Berishën.
Para deputetëve të mazhorancës dhe të vetmit deputetë të opozitës, Enkelejd Alibeaj, Kraja lexoi akuzat mbi bazën e të cilave bëhet kjo kërkesë.
Kraja tha se nga hetimet vlerësohet se është krijuar dyshimi se Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër, ka kryer veprime konkrete aktive me qëllim përshtatjen e ligjeve, ku përfitues ishte edhe bashkëshorti i vajzës së tij Jamarbër Malltezi.
“Kemi kërkuar leje për të dyja, arrest shtëpie dhe arrest me burg, por në bazë të akteve të dosjes do i kërkojmë gjykatës njërën prej tyre. Se çfare do bej gjykata është në dorën e saj. Gjykata deri tani na ka dhënë të drejtë. Duhet të dukemi që nuk jemi të njëanshëm. Ne kemi kompetencë të hetojmë funksionarët shtetërorë nuk mund të jemi në dukje të paanshëm. Ne kemi për detyrë, që kur ka një kallzim të nisim hetimet. Ne nuk i ndalojmë dot fjalët që i dha urdhër këtij apo atij. Në jetën time nuk jam marrë me politikë, nuk më ka shkuar ndonjë herë në mend dhe nuk do jem asnjë herë pjesë e politikës”, tha Kraja.
Pritet që në përfundim të mbledhjes ditën e sotme të përpilohet një relacion dhe më pas t’i dërgohet Kuvendit për votim, lidhur me fatin e mandatit të Berishës.
