VIDEO/ Drogë afër shkollave, 4 të arrestuar në Lezhë dhe Durrës

Policia e Lezhës, në vijim të operacionit “Tempulli”, ka arrestuar 2 persona dhe ka proceduar penalisht 2 të mitur.

Akuza ndaj dy të arrestuarve lidhet me tregtimin e Cannabisit në afërsi të shkollave, teksa të miturit dyshohet se ishin të përfshirë në këtë aktivitet.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se disa shtetas posedonin sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të cilët e kishin ndarë në doza gati për shitje pranë shkollave, kanë organizuar punën në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, për goditjen e këtij rasti”a.

Si rezultat, në Shëngjin, janë kapur në flagrancë shtetasit P. G. dhe A. D., të cilëve gjatë kontrollit fizik iu janë gjetur doza të lëndës narkotike kanabis gati për shitje dhe mjete që përdoren për përgatitjen e dozave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit P. G., 24 vjeç dhe A. D., 21 vjeç, të dy banues në Shëngjin. Gjithashtu nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të mitur që dyshohet se janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i shisnin dozat e lëndës narkotike, në afërsi të shkollave të Shëngjinit”, vijon njoftimi i Policisë së Lezhës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Po ashtu në Durrës, në kuadër të këtij operacioni u kapën në flagrancë në afërsi të portit të Durrësit, me doza kanabisi, gati për shitje, dhe një mjet prerës (thikë) 2 shtetas.

“Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut dhe punës së inteligjencës policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike, rast për të cilin u vunë në pranga shtetasit: L. Sh., 23 vjeç dhe S. R., 25 vjeç, të dy banues në Sarandë”, njofton Policia e Durrësit.

“Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në afërsi të portit të Durrësit, një automjet me të cilin qarkullonin shtetasit S. R. dhe L. Sh. Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis gati për shitje dhe një mjet prerës (thikë). Dozat e kanabisit dhe mjeti prerës (thikë) u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, përfundon Policia e Durrësit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.