Rama: Deri në nëntor vendin e vizituan 9,54 milionë të huaj, rrogat u rritën me 22.3%

Sezonin turistik kryeministri Edi Rama e ka konsideruar të suksesshëm edhe në stinën e vjeshtës. Në Facebook ai shprehet se deri në nëntor vendin e vizituan 9,54 milionë të huaj.

Por edhe festat e fund vitit do të sjellin të ardhura në buxhetin e këtij sektori nga ata që duan ta shijojnë Shqipërinë edhe në dimër.

“Përveç vizitorëve besnikë nga Kosova që zënë peshën kryesore të hyrjeve turistike, duke u rikthyer disa herë brenda vitit, italianët kanë qenë surpriza e këtij viti, me 872 mijë vizitorë, Mali i Zi, Spanja, Franca e Gjermania me rritje rekord, e po ashtu Shqipëria po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistë që vijnë nga Turqia, Kina, e vendet nordike” - shprehet Rama.

Fluksi në rritje i turizmit është pasuar dhe me më shumë të punësuar. Në periudhën korrik shtator sipas INSTAT Agjensitë e udhëtimit shënuan 24% me shume shitje krahasuar me një vit me pare e shoqëruar me rritjen e fondit të pagave me 31%.

Edhe hotelet po ashtu kane regjistruar rritje me 12.9% ku kanë angazhuar më shumë staf, por edhe rrogat u rritën me 22.3%.

Ndryshe nga këto shërbime që kanë shënuar rritje, e kundërta ka ndodhur me sektorin e tregtisë, transportit, magazinimit dhe postes qe kane regjistruar ulje te shitjeve me 3.4%.