Rama në Vlorë: Berisha e kyçi detin për not, Shqipëria pa një port turistik

Kreu i selise rozë ka vijuar takimet në zonën e tij elektorale edhe gjatë pasdites ku është ndalur në një bashkëbisedim me banorë të rajonit nr 4 në Vlorë. Gjatë fjalës së tij zoti Rama u premtoi “banorëve të detit” se ne programin e PS zhvillimi i industrise se detit eshte pjese e zhvillimit te vendit, duke garantuar një tjetër politikë për portet detare.“Berisha e kuptoi kete kur i doli ngjala perpara, u çorodit nga ngjala dhe filloi te merrej me detin. Ne do ndertojme rrugen per levizjen e anijeve turistike e tregtare. Qyteti eshte mikroskopik, ne vitet ’20 deti ishte plot me anije, shikoje sot, deti pasqyre nuk leviz asgje, vetem Saliu kur noton, po as not nuk quhet ai, se vetem rri ne uje. Une notin ketu ne Skele e kam mesuar, por kete stil nuk e kisha degjuar, kembet ne uje e kush rri me shume ne uje, eshte rekordmen se nuk e ndjek njeri nga pas. Per te tjerat detin e kyci gjithe ato vite, vetem ai qe mesonte not. Porti nuk behet fjale, nuk ka Shqiperia ne tere vijen e saj bregdetare nje port turistik”- tha Rama.Gjatë diskutimit një pjesë të rëndësishme ka zënë situata e rendit dhe sigurisë në vend, ku Kryesocialisti Rama u është rikthyer edhe njëherë akuzave për kapje nga krimi të kupolës së Ministrisë së Brendshmesë, ndërsa përsëriti angazhimin për rikthimin e rendit brenda 300 ditëve të para të qeverisjes socialiste.“Situata e rendit dhe sigurise ne vend është skandaloze dhe e faktuar nga raporte te nderkombetare dhe jo e thene nga opozita. Kupola drejtuese e Ministrise se Brendshme eshte e lidhur me krimin, nderkohe qe qytetaret perballen me nje situate alarmante per sa i takon sigurise per jeten dhe per pronen. Ne 300 ditet e para ne do te sjellim rendin dhe sigurine ne vend, kemi plan konkret per te bere te denje Policine e Shtetit, jo si tani qe te vjen keq kur e shikon ne rruge duke ngrene fara e duke pritur t’i dale dicka, ku te kapin ndonje leke”- deklaroi ai.Më tej kreu i PS ka folur edhe për arsimin, shëndetësinë, legalizimet dhe zhvillimin rural, ku shpalosi dhe vizionin e programit të Rilindjes për përmirësimin e shërbimeve dhe rilindjen e fshatit.

Në mbrëmje kreu i selisë rozë është zhvendosur në një bashkëbisedim me të rinj të Vlorës, me të cilët ndau shqetësimet dhe problematikat që hasin çdo ditë. Rama i garantoi ata se qeverisja socialiste do të vendosë një fond të posaçëm për mbështetjen e projekteve të të rinjve për biznese të vogla apo biznese sociale në mënyrë që të ngulitet tek të rinjtë se janë idetë ato që vlejnë.

“Kush ka ide nuk duhet të dorëzohet dhe as lëndohet nga pengesat që has, sepse me siguri me idetë mund të shkojë përpara e mund të realizojë projektet e veta” tha ai.

Pyetje: Përshëndetje, desha të ftoj gjithë të afërmit tanë t’i bashkohen programit tonë të Rilindjes me një akt për të vendosur në 23 qershor një pikë tek numri 29, t’i bashkohen skuadrës së Rilindjes dhe të bëjmë realitet ëndrrat tona. Po jap një shembull, në Korfuz që është shumë pranë ka drita, këtu nuk ka, atje ka një rini që mbështetet nga shteti dhe ka një turizëm elitar. Kërkojmë që të ketë një mbështetje nga qeveria e ardhshme....

Po të shikosh gravurat e mesjetës, madje edhe më përpara mesjetës, gravurat e Gjirit të Vlorës, ato kanë një specifikë të përbashkët të gjitha, se ky gji është i mbushur. Po të shikosh fotografitë e viteve 20-30, fotografitë bardh e zi, Vlora është një qytet shumë i vogël kurse Gjiri është i mbushur. Shtëpia e gjyshit dhe gjyshes sime është këtu ngjitur, gjyshi im ka qenë agjent tregtar në port dhe punonte me anijet që vinin e shkonin. Sot shikojeni Gjirin e Vlorës, një fushë pa asnjë lëvizje. Shqipëria është i vetmi vend mesdhetar që nuk e ka detin të përfshirë në jetën e vet, në ekonominë e vet, në industrinë prodhuese. Deti është pjesë e industrisë prodhuese, por Shqipëria është e shkëputur, po të shikoni rrugën e anijeve turistike në Mesdhe ajo rrugë ndërpritet në vijën tonë bregdetare. Sa fillon bregdeti ynë anijet lëvizin dhe ikin drejt Italisë, e zbresin poshtë në Korfuz, nuk ka asnjë infrastrukturë këtu. Ju përmendet Korfuzin, por Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Italia, Greqia e i gjithë Mesdheu ka transformim të jashtëzakonshëm. Këtu ka kthim prapa, matanë mesjetës në raport me detin, ne duhet dhe do ta përfshijmë detin në ekonomi duke e integruar Shqipërinë në rrugën bregdetare të Mesdheut. Do të ndërtojmë një rrugë tokësore që e kemi quajtur Autostrada e Kaltër, sepse do të ndjekë të gjithë vijën bregdetare për të mos shkëputur më lëvizjet përgjatë bregut në gjithë bregun e Adriatikut larg, Kroaci, Mali i zi e Shqipëri. Paralelisht me të do hapim rrugën e detit, jo siç thoshte ai i lodhuri ministër Transporti që thoshte do të bëjmë tunel. Do bëjmë rrugën e detit me portet turistike dhe infrastrukturën që do ta ndërtojmë me një plan të posaçëm. Ne do të ndërtojmë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit që do të merret me mbrojtjen e bregdetit, asnjë tullë pa leje në vijën e bregdetit, mbrojtje territori, zhvillim i turizmit dhe gjithë imazhit të Shqipërisë turistike në një model krejt tjetër.

Pyetje: Doja ta dija cili është projekti i qeverisë suaj për uljen e kostos së borxhit që kjo qeveri e ka çuar tej normave?

Është tej normave dhe është një nga problemet më delikate që duhet trajtuar menjëherë. E para, duhet të përcaktojmë kufirin e borxhit. E dyta, ne duhet të fillojmë menjëherë planin e punës dhe të nisim punën për ristrukturimin e borxhit. E treta, ne duhet me çdo kusht të fillojmë ndërtimin e një modeli të ri ekonomik. Modeli ekonomik i këtyre 20 viteve ka marrë fund, ka shteruar dhe nuk prodhon më, ka qenë në këndvështrimin tim një model rrënues, një model rritjeje pa punësim, model shfrytëzimi barbar i resurseve të vendit, shkatërrim pyjesh, shkatërrim lumenjsh, shkatërrim mjedisi, shkatërrim plazhesh. Sigurisht, që kanë dalë para nga këto shkatërrime, por paratë nuk dalin më, është model që ka nxjerrë para nga ndërtimi, por nuk nxjerr më se po ezaurohet ndërtimi, nuk mund të jetë industri afatgjatë në kuptimin e nxjerrjes së parave. Është një model që ka fituar shumë nga emigrantët, por nuk mban më se dërgesat e emigrantëve kanë nisur të bien në mënyrë drastike. Duhet t’i kthehemi një strukture dhe t’i drejtohemi një modeli tjetër, duhet t’i kthehemi punës dhe prodhimit, duhet të angazhohemi në prodhim dhe tek prodhimi në njërën anë industri prodhuese në anën tjetër zhvillim rural me prodhim bujqësor, në anën tjetër turizmi dhe të gjitha zhvillimet e tjera. Jo turizëm si ky se kështu si po shihet turizmi është shkatërrim, shumë shpejt Shqipëria mund të zhdukjet nga harta për shkak të kostos skandaloze të këtij procesi, për shkak të bathorizimit të bregdetit Jon. Shikoni çfarë po ndodh poshtë, si po shkatërrohen perlat e Jonit nga ndërtime kuturu pa projekte, pa leje, nga këto molet, pseudo-molet hidh gurë, krijimi i shesheve të ndërtimit në breg të detit, ose e njëjta situatë dramatike kur shkon drejt Shëngjinit dhe Velipojës.

Pyetje: Unë dua të kap diçka më konkrete për të rinjtë këtu. Pothuajse të gjithë që jemi këtu vazhdojnë shkollën e lartë, një pjesë e ka mbaruar e një pjesë vazhdon. Studentët që mbarojnë shkollën e duan të kenë një vend pune në administratë, por nuk vazhdojnë dot me këtë qeveri që kërkon mijëra euro për një vend pune....

Nuk ka administratë të Partisë Socialiste, por të shtetit shqiptar. Ky do jetë një nga ndryshimet që do sjellim do t’i vëmë të gjithë në pozita të barabarta, dhe kush është më i aftë do t’i shërbejë shtetit shqiptar. Nëse do hysh tek të aftët me siguri do ketë një vend për ty, por jo me rrugë partie por në rrugë konkursi.

Pyetje: Në Vlorë më mungon ajri i pastër....

Për ajrin e pastër ne kemi folur me Shpëtimin, është një projekt gati. Vlora vuan çështjen e djegies së plehrave në natyrë si shumë qytete të tjera, përveç Tiranës ku ndërtuam në kohën kur isha unë në bashki landfillin, që hoqi renë e helmit të përnatshëm. Sot Vlora, Elbasani, sidomos Durrësi e tërë qytetet e Shqipërisë, në darkë kanë edhe një re helmi që vjen nga djegia e plehrave në natyrë. Me çdo kusht duhet që të ndërtojmë landfillde për përpunimin e plehrave. Programi i PD në 2005 parashikonte ndërtimin e tyre në gjithë Shqipërinë, por nuk kanë ndërtuar edhe një të vetëm. Projektin e kemi gati e do ta zbatojmë e brenda katër vitesh nuk do ketë më plehra që do digjen në Vlorë, ajrin do ta kesh më të pastër. Vlora ka 20 vjet që se ka patur një qeveri me vete. Vlora është një qytet që është zhvilluar nga investimet private, por nuk ka pasur investimet qendrore që duhet, nuk i ka pasur as Durrësi, as Fieri, as Tirana, asnjë qytet që ka përballuar fluksin e të ardhurve nuk ka pasur investime publike që të balancojë privaten me publiken e të garantojë infrastrukturën. Ne kemi patur qorra në qeveri dhe kemi qorra në qeveri, ne kemi atë që Fan Noli e quan kabineti i pykave, pyka që i hyjnë Shqipërisë dhe e bëjnë Shqipërinë të çalojë padrejtësisht. Do të jap një shembull që është shumë i thjeshtë e i vogël, Shpëtimi mund të numërojë pafund, siç mund të numërojë Qazimi për Elbasanin apo Niko Peleshi për Korçën. Shëtitorja këtu u ndërtua me paratë e Bashkisë e kur po përfundonte, në prag të 100 vjetorit, qeveria nuk e lejoi të përfundonte e të ishte e përfunduar, por i mori paratë me demek borxh për ujësjellësin e i la të papërfunduar që qytetarët e Vlorës të thoshin ja kryetari i bashkisë, ja socialistët. E njëjta gjë në Korçë me bulevardin apo në Elbasan. Unë të them se kjo Vlorë që e shikon e që ka probleme me ujin e pijshëm e infrastrukturën, kjo Vlorë që shikon sot ti, pas katër vitesh nuk do ta njohësh. Unë nuk tregoj përralla, unë nuk them se kjo do bëhet Monte Karlo, por ama nuk do ta njohësh. Fatkeqësia, këtu është se këtu nuk bëhet fjalë për investime kolosale, por për investime të nevojshme. Vijnë këtu e lexojnë se kemi investuar kaq e kaq, paçavure, nëse janë investimet në letra do të thotë se i kanë grabitur. Kjo duhet të ishte një perlë e Mesdheut dhe jo vetëm e Shqipërisë. Kështu do bëhet e mbajeni mend. Nga hyrja e Vlorës, në Skelë e deri tek Uji i Ftohtë do të bëhet një nga rrugët më të bukura të Mesdheut. Shikojeni si e kanë lënë? E çfarë do bëjë bashkia? Me aq lekë kur shkon tek fundi do jetë prishur e para krejtësisht. Nuk mund ta mbajë një bashki. Qytetet me rëndësi strategjike zhvillohen në harmoni me qeverinë qendrore. Aty ku qeveria kombëtare është kabinet pykash aty pykën e ka në kurriz qyteti dhe çalon.

Pyetje: Programi juaj për fëmijët cili është?

Ne kemi parë për momentin planet, planimetritë e qytetit dhe planet ekzistuese. Sot ishim në Kaninë dhe nga kalaja e Kaninës mund të shohësh qartë se ky qytet, i gjithë ky territor mund të ketë një transformim të jashtëzakonshëm. Kemi vendosur një objektiv me Shpëtimin, thashë se na duhet me shpejtësi të mbjellim 10 mijë pemë, kemi premtuar 50 mijë pemë në katër vite por 10 mijë me patjetër duhet t’i mbjellim shumë shpejt. Duhet të ndryshojmë cilësinë e jetës urbane. Shikoni si është katandisur Pylli i Sodës, e sulmuan për ta marrë, ndërtuan një TEC andej që nuk punon, kanë marrë borxh në emër të popullit shqiptar, ato borxhet që i merr Saliu dhe i paguajnë njerëzit. Paguan ky popull mbrapsht borxhet për një TEC që nuk punon dhe vjen këtu Saliu e thotë kemi ndërtuar TEC-in, e kuptoni në çfarë epoke jetojmë? E llogarit ai tek sukseset që nuk ekzistojnë. Ndaj kopshtet, çerdhet e hapësirat publike do t’i shohim në funksion të një cilësie të re jo vetëm të godinave, por edhe të mësuesve, do të bëjmë për Vlorën një ndryshim radikal do ta çojmë përpara projektin. Vlora ka patur një zhvillim që ka ngelur në mes, mund të shkojë për keq nëse braktiset akoma dhe mund të shkojë mirë nëse ecet me një projekt të integruar që nuk është vetëm i qytetit. Nëse mendojmë se vetëm qyteti do të jetë e keni gabim, duhet të investojmë tek prodhimi bujqësor, tek pikat e trashëgimisë kulturore, që të bëjmë një gjë komplekse dhe kështu të krijomë një magnet të fortë.