Inspektimi i përbashkët i AMP-së me homologët e Kosovës, nënshkruhet raporti

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Mbikëqyrje Policore,  Florian Sulejmani dhe zyrtarë të tjerë nga kjo agjenci u pritën në takim nga kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj në Kosovë.

Takimi vjen në vazhdën e bashkëpunimit të ndërsjellë të të dy agjencive homologe të mbikëqyrjes policore.

Gjatë këtij takimi u nënshkrua raporti nga inspektimi i përbashkët, i cili është realizuar nga strukturat inspektuese të të dyja agjencive, në fushën “Vlerësimi i zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

Inspektimi i përbashkët është realizuar duke u bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë “mbi forcimin e bashkëpunimit të Kontrollit të Brendshëm” të datës 23 mars 2015.

Inspektimi i realizuar në tri Pika të Përbashkëta të Kalimit Kufitar, të menaxhuara nga Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit, pasqyron nevojën e zbatimit më me korrektësi të marrëveshjes së datës 29 dhjetor 2018 sa i përket respektimit të kritereve të parimit “një ndalesë një kontroll”, pajisjen e PPKK-ve me logjistikën e nevojshme orientuese/informuese për udhëtarët, përmirësimin e infrastrukturës së kabinave të kontrollit, studimit të dinamikës së punës, plotësimit të strukturës organike, kalimit në kohë reale të të dhënave nga sistemet informative të të dyja policive, rritjen e aktivitetit parandalues të krimit ndërkufitar, rritjen e bashkëpunimit nëpërmjet kryerjes së analizave të përbashkëta të riskut dhe organizimin e operacioneve të përbashkëta.

Përfaqësuesit e të dyja strukturave të mbikëqyrjes policore u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes policore, drejt zhvillimit të kapaciteteve profesionale të komponentëve operative dhe përfitimit nga shkëmbimi i praktikave të avancuara të të dyja agjencive (IPK/AMP).