Shifrat: 430 654 qytetarë kryen kontrollin mjekësor bazë
Kontrolli mjekësor bazë gjatë periudhës janar-dhjetor është kryer nga 430 654 qytetarë.
Kjo shifër u bë e ditur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor.
“Kontrolli mjekësor bazë është një program kombëtar që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet prevalente me qëllim parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore për shtetasit e grupmoshës 35 – 70 vjeç”, theksoi FSDKSH.
Ky kontroll ofrohet në qendrat shëndetësore në të gjithë territorin e vendit dhe është lehtësisht i aksesueshëm nga të gjithë, për çdo shtresë dhe kategori socio-ekonomike.
Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç.
Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme.

/ATSH

