Arbi Agalliu: PD distancohet nga dhuna dhe bojkoti në Kuvend, disa kanë halle me drejtësinë
Sekretari për Programin i Partisë Demokratike, deputeti Arbi Agalliu tha sot në një deklaratë për mediet se sot parlamenti do të duhej të zhvillonte seancën më të rëndësishme të vitit për projektbuxhetin, mirëpo sipas tij, sot në parlament nuk u kuptua kush e ndizte dhe kush e fikte flakën.
“Në të vërtetë, shqiptarët tashmë e kanë kuptuar qartë se vetë e ndezin e vet e fikin, sepse disa kanë halle e probleme personale me drejtësine, sidomos me SPAK-un, e disa të tjere përfitojnë për të kaluar në vetëm 10 minuta dhe pa asnjë diskutim, projektbuxhetin për vitin 2024”, vijoi Agalliu.
“Janë rreth 7 miliard euro të cilat janë parashikuar të shpenzohen në 2024. Asnjë hapësirë e lejuar në seancë plenare dhe në komisione parlamentare për të diskutuar lidhur me këto shpenzime. Arsyeja është e qartë se kush e pengon dhe se kush i jep oksigjen kujt. Një skenar i përbashkët bllokimi”, tha ai.
“Partia Demokratike, distancohet fort nga dhuna dhe bojkoti. Partia Demokratike vijon në shërbim të qytetarëve, jo vetëm me dorëzimin e amendamenteve por edhe me denoncimin çdo ditë të këtij buxheti klientelist”, tha Agalliu.
