Kërcënimi i Greqisë për çështjen "Beleri" Rama në "France 24": Bllokimi do të qëndrojë, nuk do të ishte serioze
Çështja Beleri është diskutuar sërish nga kryeministri Edi Rama. Në një intervistë për France 24, duke komentuar kërcënimet e Greqisë se do të bllokojë rrugën evropiane të Shqipërisë nëse nuk lirohet Beleri, Rama u shpreh se bllokimi për këtë çështje nuk do të qëndrojë pasi nuk do të ishte serioze.
Z. Rama Shqipëria juaj ka probleme për t’u anëtarësuar në Klubin evropian. Greqia po bllokon letrën e 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve. Në maj të këtij viti, kandidati për Bashkinë e Himarës, shqiptar me origjinë greke, Fredi Beleri, që kandidonte për opozitën, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve i dyshuar për blerje votash. Por akuzoheni ju se po e pengoni të zgjidhet kryetar bashkie për të mbajtur nën kontroll lejet në këtë zonë bregdetare në zhvillim e sipër. Si përgjigjeni ju?
Rama: Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.
Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?
Rama: Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!
