VIDEO/ Shtyhet sërish gjyqi për Statutin e PD-së, përfaqësuesi i Bashës: Të përjashtohet gjyqtari! Avokatët e Berishës: Ishte lëvizje e qëllimshme

Seanca gjyqësore për statusin e Lulzim Bashës është shtyrë, ndërsa përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike zyrtare, Indrit Sefa bëri kërkesë për përjashtimin e gjyqtares.

"Jeni tërësisht i njëanshëm", deklaroi Sefa në sallë ndërdsa artikuloi kërkesën përjashtimin e tij nga procesi, gjë që çoi në shtyrjen e seancës për në datën 13 nëntor,ora 15:00.

Nga ana tjetër, Gjykata ka rrëzuar kërkesën e grupit të Lulzim Bashës për paraqitjen e dokumenteve të këshillit kombëtar të Partisë Demokratike. 

Diskutimi në seancë

U mbajt sot seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, në lidhje me kërkesën e PD-së për të regjistruar ndryshimet statutore që u bënë në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, që u mbajt më 2 shtator të këtij viti.

Çështja në fjalë, shqyrtohet nga gjykatësi Niko Rapi, ndërkohë, palë në këtë proces është dhe Rithemelimi, pasi ka kërkuar që gjykata të mos e regjistrojë statutin e ri të kryedemokratit Lulzim Basha pa u shqyrtuar çështja në themel.

Përfaqësues të Partisë Demokratike në shqyrtimin e sotëm në Gjykatën e Tiranës janë Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, Gazment Bardhi përfaqësohet nga Marash Logu e Redi Rama, ndërsa Rithemelimi i drejtuar nga Sali Berisha përfaqësohet nga Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.

Grupi i Rithemelimin kërkoi pezullimin e zgjedhjeve të Bashës dhe ndryshimeve statutore të bëra në 2 shtator, me arsyetimin se nuk mund të regjistrohen pa u zgjidhur më parë çështja se kujt i takon vula.

Kjo e fundit është një tjetër çështje pezull dhe gjykimi është në dorë të Gjykatës së Lartë.

Ndërkaq gjatë fjalës së tij përfaqësuesi ligjor i Bashës, Indrit Sefa kërkoi mosnjohjen online të Këshillit Kombëtar të PD-së në datën 27 shtator.

Pjesë nga diskutimet në seancën gjyqësore

Sefa: Kemi dyshime së Këshilli Kombëtar i datës 27 i mbledhur online nuk është mbledhur kurrë...

Gjykata: Nuk është kjo objekt i gjykimit tonë.

Sefa: Ne kemi dyshime të arsyeshme se në dosje mungon dokumentacioni i nevojshëm për të legjitimuar procesin. Ne na rezulton që mos të jetë mbledhur Këshilli Kombëtar, pasi nuk mbështetet askund në legjislacion. Ne kemi dyshime të arsyeshme se kjo mbledhje nuk ekziston dhe jemi në kushtet e falsifikimit të dokumenteve.

Ndryshimet e Statutit

Me statutin e 2 shtatorit, Basha përqendroi pushtetin në duart e tij, duke marrë jo vetëm postin e kryetarit të partisë, por edhe të kryetarit të grupit parlamentar.

Një tjetër ndryshim ishte përjashtimi nga anëtarësia e demokratëve që kanë garuar për subjekte të tjera zgjedhore, pra mbështetësit e Berishës që kandiduan në zgjedhjet e 14 majit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.