Spiropali: Berisha frymëzues i dhunës në Kuvend, të përballet me akuzat e SPAK

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot përmes rrjeteve sociale në lidhje me situatën e përplasjeve në seancën plenare të Kuvendit, duke deklaruar se Berisha synon të marrë peng Kuvendin.

“Tymuesen e mbajti në dorë Salianji, por tymi dilte nga koka e Saliut! Njeriu që ka ndezur zjarr nëpër Shqipëri për hir të jorganit vetjak, solli tymin në sallën e seancave plenare si kërcënim për çfarë do të donte të bënte sërish për të gjithë vendin”, shkruan Spiropali.

“Sali Berisha është në dyert e SPAK-ut. Kjo është arsyeja, pse Doktori i ka shndërruar dhe do të vazhdojë t’i mbajë të shndërruar deputetët e tij në një togë pushtuese të institucionit duke kërkuar ta marrë atë peng, duke penguar zhvillimin normal të veprimtarisë së tij në kundërshtim me çdo ligj, kod e moral”, shprehet Spiropali.

Sipas saj, “Berisha është frymëzuesi i sulmit të së mërkurës mbi dyert e Kryesisë së Kuvendit dhe bllokimin e veprimtarisë së komisioneve parlamentare dhe sulmit bis në sallën e seancave plenare. Duke shkelmuar ato dyer, ai kërkon të shqyejë dyert në të cilat normalisht do të duhet të shkojë si çdo qytetar i këtij vendi, për të ballafaquar të vërtetën e tij vetjake me akuzën penale publike”.

“Një akuzë, e cila jo për koincidencë, ngjan me vendimin fatal të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili konsideronte se në cilësinë e kryeministrit, Berisha ka pasuruar familjen e tij dhe se me retorikën e tij kishte shmangur llogaridhënien përpara drejtësisë. Kështu ka firmosur Sekretari Blinken dy vjet më parë në Uashington, dhe kështu dyshon SPAK-u në Tiranë dy vjet më pas për atë çfarë Berisha ish-kryeministër ka bërë dikur në pjesën e parë dhe po vazhdon ta bëjë sot e gjithë ditën në pjesën e saj të dytë”, nënvizon Spiropali.

Për Spiropalin, e vetmja rrugë që Berisha të dali nga kjo rrugë është të përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Edhe pse jam pjesë e pamunguar e akuzës politike dhe publike mbi të, ndjej keqardhje për Berishën si individ, por besoj fort se e vetmja mënyrë e tij për të dalë ai si politikan nga kjo situatë, është ballafaqimi me akuzën. Ai që është sjellë për tre dekada si burri i fortë i politikës, kryeakuzatori politik i gjithkujt, duhet të gjejë forcën për të ballafaquar veten me akuzën publike. Nëse zgjedh të vazhdojë revolucionin e karrigeve, në rastin më të keq, ai mund të shkaktojë të tjera fraktura në kohë, por fati i tij është i ndarë prej kohësh me fatin e vendit. Sa më shpejt ta kuptojë një gjë të tillë edhe toga e tij e sulmit me imunitet parlamentar, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Për Berishën të parin. Duke kursyer kështu njolla të tjera në duart e deputetëve, të cilat nuk mund të fshihen me delikatesën e shamive prej letre”, përfundon reagimin e saj ministrja Spiropali.