Karabina: Narrativa në shkrimin e BBC e rreme, Basha dhe PD jo fonde nga Rusia

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina njoftoi sot se i ka dërguar reagim BBC-së për një shkrim të botuar prej gjigantit mediatik britanik në lidhje me financimet ruse të Bashës.

Shkrimi është publikuar edhe në disa medie shqiptare, të cilin Karabina e vlerësoi si version të deformuar nga një shkrim me disa të pavërteta të marra copy-paste nga vala e shpifjeve kundër PD dhe Lulzim Bashës.

“Fakti që në shkrim as nuk përmendet korruptimi që Edi Rama i bëri McGonigal për të sulmuar Lulzim Bashën, tregon se kush është i interesuar për riciklimin e kësaj çështje që ka marrë përgjigje si nga institucionet shqiptare të drejtësisë ashtu dhe nga ato të SHBA”, tha Karabina.

Në shkresën zyrtare që PD i ka nisur BBC thuhet se “narrativa e paraqitur është pa asnjë ekuivok e rreme nga fillimi në fund”.

“Siç është faktuar tashmë, as zoti Basha dhe as Partia Demokratike dhe fushatat e saj nuk kanë marrë ndonjëherë fonde nga Rusia.

Kur kjo histori doli për herë të parë në 2017, zoti Basha dhe Partia Demokratike kërkuan një hetim të plotë dhe bashkëpunuan plotësisht me të gjitha autoritetet hetimore.

Në vitin 2019, gjykatat në Shqipëri e kishin shfajësuar plotësisht zotin Basha dhe Partinë Demokratike, duke e pastruar atë nga çdo lidhje me këtë histori të sajuar.

Për më tepër, që prej asaj kohe ka dalë në dritë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte lidhje të ngushta me agjentin e atëhershëm të FBI-së, Charles McGonigal.

Sipas hetimeve, përfshirë nga New York Times, këto lidhje u krijuan kryesisht për të goditur z. Basha, duke u përfshirë në një fushatë shpifjeje kundër tij, pjesë e së cilës ishin edhe këto akuza të rreme”, shkruhet në reagim.