Mbahen bisedimet vendimtare për dy Koretë
Zyrtarët e Koresë së Veriut dhe të Jugut kanë zhvilluar takimin e tyre të parë në vitet e fundit, në një përpjekje për të ulur tensionet mes rivalëve.Të dy palët po zhvillojnë bisedime në Pammunjon, ku u nënshkrua armëpushimi në Luftën e Koresë të viteve 1950-1953. Bisedimet supozohet të hapin rrugën për bisedime të nivelit ministror këtë të mërkurë në Seul. Një zëdhënës i Ministrisë së Bashkimit të Koresë Jugore tha se të dy palët diskutuan çështjet teknike për takimin ministror, duke përfshirë vendin dhe madhësinë e delegacioneve. Ai tha se bisedimet pritet të vazhdojnë pasdite.Takimi u zhvillua disa orë pasi presidenti amerikan Barack Obama dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping u pajtuan në një samit në SHBA se Veriu duhet të braktisë programin e tij bërthamor.Bisedimet vijnë pasi disa muaj përshkallëzimi tensionesh, rrezikuan shpërthimin e një lufte të mirëfilltë midis dy shteteve.Korea e Veriut shkoi deri atje sa të kërcënonte fqinjët me shkatërrim bërthamor, ndërsa Seuli u përgjigj me realizimin e një stërvitje ushtarake pranë kufirit në bashkëpunim me ushtrinë amerikane dhe me kundërkërcënime të ngjashme. Kompleksi i Kaesongut, i ndodhur në anën koreanoveriore të kufirit qëndron i mbyllur që prej muajit prill, duke i shkaktuar kështu një dëm të madh ekonomive të të dy Koreve.