Temat e takimit historik SHBA-Kinë

Takimi jozyrtar mes Presidentit Barack Obama dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping, dje dhe sot është i pari takim midis tyre që kur Xi Jinping u bë president i Kinës. Ky aktivitet vjen në një kohë kur mosbesimi në rritje, shqetësimet rreth sulmeve kibernetike dhe çështja e trajtimit të Koresë së Veriut janë disa nga problemet që po vënë në provë lidhjet mes dy vendeve. Pavarësisht këtyre sfidave, në Kinë shpresat janë të mëdha se takimi do të jetë një moment vendimtar e historik, për të dy vendet, i cili do t’i bëjë marrëdhëniet më të qëndrueshme.Në prag të takimit të këtyre dy ditëve, si Kina ashtu dhe Shtetet e Bashkuara theksuan vazhdimisht rëndësinë e lidhjeve mes tyre dhe nevojën për të gjetur mënyra më të mira për të bashkëpunuar. Shtetet e Bashkuara kanë një listë me shqetësime për të cilat dëshirojnë të diskutojnë. Edhe Kina ka tema të ndryshme që do të trajtojë, dhe Pekini po thekson gjithnjë e më shumë një vizion të tijin për marrëdhëniet SHBA-Kinë.Duke folur në lidhje me atë vizion më herët gjatë kësaj jave, ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara Cui Tiankai tha se takimi do të jetë "strategjik dhe historik". Sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve Xinhua, Cui Tiankai tha se bisedimet do të përfshijnë diskutime në thellësi mbi çështjet e mëdha dhe mënyrat e ndërtimit të lidhjes mes dy vendeve si dhe mbi një lloj të ri të marrëdhënieve mes dy fuqive të mëdha. Kina mendon se nëse vendet njohin publikisht njëra-tjetrën si fuqi të mëdha - një në zhvillim dhe vendi tjetër me pushtet të konsoliduar - kjo mund të shmangte konfliktet.