Struga synon vetëm përmbysjen ndaj islandezëve, Duro: Kam besim se skuadra do japë maksimumin
Struga mori një rezultat negativ në ndeshjen e parë të fazës play-off ndaj Breidablik, ku u mposhtën në Ohër me shifrat 0-1. Kampionët e Maqedonisë së Veriut zhvilluan një lojë të mirë ndaj islandezëve, por nuk ja dolën dot të që edhe rezultatin ta kishin në favorin e tyre.
Në Islandë, të besuarit e Shpëtim Duros do të tentojnë përmbysjen e madhe dhe kualifikimin e tyre të parë historik në fazën finale të një kompeticioni europian. Trajneri i struganëve, Duro në daljen për mediet para takimit tha se kundërshtari ka epërsinë, por janë edhe 90 minuta lojë ato që do të përcaktojnë kualifikimin.
"Rezultati i ndeshjes së parë është në favor të kundërshtarit, pasi kemi humbur atë ndeshje në Ohër, por them që është një rezultat minimal, dhe kam besim që skuadra do të japi maksimumin në këtë ndeshje për të luajtur, kjo pasi rezultati minimal i ka të gjitha mundësitë brenda. I referohemi edhe ndeshjes së parë, që sigurisht se kemi luajtur më mirë se kundërshtari, ishte një humbje që të paktën nuk e meritonim, por sigurisht mendojmë që në këtë ndeshje të japim maksimumin.
I’u kam thënë edhe futbollistëve që është një ndeshje 90 minuta që duhet luajtur me të gjitha mundësitë dhe pastaj të shohim përfundimin e ndeshjes. Ka moral të mirë, gjithmonë kam biseduar me futbollistët, janë mërzitur për humbjen e ndeshjes së parë, por duke pasur parasysh vijimin e lojës ata kanë besimin e duhur për të bërë diçka në këtë takim", tha Duro
Synimi i vetëm i struganëve është fitorja dhe duke parë edhe lojën e mirë të ndeshjes së parë, shpresat për vijuar ecurinë më tej janë të larta.
