Federata vendos, Italia do të ketë trajner kampionin e Serie A

Luciano Spalletti do të drejtojë Italinë, pavarësisht faktit nëse presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis do ta lejë të lirë për shkak të klauzolës që e lidh me klubin deri në dhjetor.

Kreu i federatës, Gabriele Gravina ka vendosur që Spalleti të marrë drejtimin e të kaltërve. Tekniku ka një klauzolë që e shkëput nga detyrimet me Napolin vetëm në rast se trajnon një skuadër rivale dhe sipas federatës, në këtë rast nuk shkelet kontrata pasi Kombëtarja e Italisë nuk është një ekip rival i Napolit.

Në këtë mënyrë, Spalletti do te marrë menjëherë drejtimin e Italisë dhe do të jenë avokatët e federatës ata që do të punojnë me çështjen ligjore. Në sezonin e parë trajneri i ri do të përfitojë 2 milionë euro ndërsa më pas shuma do të rritet në 2.5 deri në fund të Kupës së Botës 2026.

Marrëveshja do të zyrtarizohet brenda kësaj fundjave pasi koha nuk pret dhe skuadra 4 herë kampione bote ka nevojë urgjente për një trajner që do ta drejtojë në eleminatoret e Euro 2024 por duhet të ndërtojë një ekip të fortë dhe konkurrues edhe për Kupën e Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë.