Do jetë transferimi më i shtrenjtë në Premier League, ish-trajneri: Luante me këpucë borxh
Moises Kaisedo do të jetë lojtari më i ri i Chelsea dhe për kartonin e tij, Chelsea do të paguajë plot 115 milionë paund duke thyer rekord si transferimi më i shtrenjtë në Premier League. Ashtu si edhe shumë yje të futbollit botëror, edhe Kaisedo ka pasur fëmijëri të vështirë dhe fillime me vuajtje.
Kaisedo vjen nga një familje shumë e varfër dhe fillimet e tij në futboll lidhen me profesorin që kishte në shkollë. Që në moshën 5 vjeçare, Ivan Guerra kishte vënë re se Kaisedo ka talent dhe kishte marrë përsipër që të mbulonte shpenzimet e tij në stërvitjet e futbollit. Në një intervistë për “The Times”, Guerra ka zbuluar se si Kaisedo shkonte në ndeshje me këpucë që i kishte marrë borxh.
“Ne nuk kishim shtylla, kështu që ata ulnin gurët në rrugë, ndonjëherë luanin pa këpucë. Unë mund të shihja se ai kishte talent. Kështu e ftova në shkollë.
Fëmijët paguajnë një tarifë, por vetëm nëse mund ta përballojnë atë. Familja ishte shumë e varfër. Sa herë që luanim në një qytet tjetër, ai do të ishte gjithmonë i fundit në autobus pasi i pëlqente të flinte, por ndonjëherë ishte sepse nuk kishte para për tarifën.
Unë mbuloja shpenzimet, trokisja në derën e tij, i thosha, ‘Shkojmë!’ Ai nuk kishte këpucë e ndonjëherë miqtë ia jepnin hua ose unë kërkoja të merrja një palë për të. Por ai ishte më i miri këtu.
Gjatë stërvitjes me Jaipadida, Kaisedo pati një provë me klubin profesionist të Mushuc Runa. Por ai u dërgua në shtëpi vetëm një javë më vonë pasi nuk ishte në gjendje të përballonte tarifën e grumbullimit ose ushqimin”, shprehet trajneri.

