Bayern Munchen kërkon portierin më të shtrenjtë të historisë

Chelsea ka vendosur të shesë gjithë linjën e parë të portës edhe pse është fundi i merkatos dhe mund ta ketë të vështirë të gjejë një gardian të besueshëm në kaq pak kohë.

Pas largimit të Mendy në Arabinë Saudite, klubi londinez është në kontakte me Bayern Munchen për të shitur edhe Kepa Arrizabalaga, portieri më i kushtueshëm i historisë të cilin Chelsea e bleu për 80 milionë euro.

Bayern Munchen nuk ka ende një portier që të sigurojë katërkëndëshin pasi Ian Sommer u largua te Interi ndërsa Neuer nuk është ende gati për shkak të dëmtimit të poësuar në muajin dhjetor.

Në këtë mënyrë, Kepa është zgjedhja e parë e Bayern Munchen që ka nisur bisedimet me Chelsean pasi vetë lojtari ka ndezur “dritën jeshile”.