Vllaznia ngel në klasë, fitorja më Linfield nuk e ndalon t’i japë lamtumirën Europës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 20 Korrik 2023, 22:46

Zhgënjim në Shkodër ku Vllaznia nuk bëri mjaftueshëm për të kaluar irlandezo-veriorët e Linfield të cilët kishin fituar 3-1 ndeshjen e parë të luajtur në Belfast.
Goli i Bekim Balajt në minutën e 54 rezultoi i pamjaftueshëm për skuadrën e Migen Memellit që krijoi dhe shpërdoroi shumë por nuk arriti të ishte më cinike përpara portës kundërshtare.
12 minuta nga fundi, shkodranët protestuan gjatë për prekje të topit me dorë në zonën kundërshtare por arbitri nxorri vetëm një të verdhë për Dodev dhe loja vazhdoi deri në fund ku Vllaznia u dorëzua.
Një fitore e hidhur për shkodranët që tashmë duhet të fokusohen te puna për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri në Superiore.
