Kampioni i Europës me Interin përgjohet në telefon duke trukuar futbollin kamerunas

Që prej momentit kur është emëruar president i federatës kamerunase, Samuel Eto’o nuk po gjen paqe. Skandal pas skandali, i radhës lidhet me një telefonatë që ai ka bërë me presidentin e klubit Victoria Limbé, të cilit i premton ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe disa muaj më pas ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte premtuar ish-sulmuesi kampion Europe me fanellën e Interit.

Biseda është publikuar në versionin audio nga një faqe interneti e quajtur “Camfoot” që e lufton prej kohësh ish-sulmuesin e Kamerunit. Telefonata është regjistruar në janar ku Eto’o e siguron mikun e tij se do të bëjë të pamundurën skuadra e tij të ngjitet mes më të mirëve të kampionatit në vend.  

“Rri i qetë, apelo dhe do të të kthejmë 3 pikët dhe do të pezullojmë arbitrin. Më jep pak kohë sa të kthehem në Kamerun. Hajde te zyra ime rrimë disa ditë dhe madje mund të sjellësh edhe femrat e tua”, i thotë mes të tjerash Eto’o pasi presidenti i klubit iu ankua për një ndeshje ku sipas tij arbitri e dëmtoi.

Ky është skandali i radhës për ish-sulmuesin që ka veshur edhe fanellat e Chelseat e Barcelonës, i cili ka pasur një përplasje edhe me portierin e Kamerunit, Andre Onana ndërsa akuzohet edhe për një kontratë të dyshimtë për sponsorin e fanellës së kombëtares.