FSHF ndryshon edhe Kupën e Shqipërisë. Prezantohet formati i ri, ja detajet

Pasi ndryshoi rrënjësisht formatin e Superiores dhe së Parës, FSHF ndërhyn edhe te Kupa e Shqipërisë. Gjatë ditës së sotme, organi më i lartë i futbollit shqiptar prezantoi formulën e re duke e rritur pjesëmarrjen me 10 skuadra nga 34 në 44 pasi ka futur në skemë edhe Kategorinë e Tretë.

Sipas formulës së re, Kupa e Shqipërisë do të jetë e përbërë nga faza para-eliminatore dhe faza eliminatore. Ekipet e renditura nga vendi i parë e deri në vendin e tetë në Superiore për sezonin 2022-2023 do të garojnë duke filluar nga faza 1/8. Në turin para-eleminator marrin pjesë ekipet e renditura në vendin e 7, 8, 9 të Kategorisë së Dytë Grupi A të sezonit 2022-2023 si dhe vendet e 7, 8, 9, 10 të Kategorisë së Dytë Grupi B të sezonit 2022-2023 si dhe ekipi Kampion i Kategorisë së Tretë sezoni 2022-2023.

Ndeshjet në këtë tur do të zhvillohen me një takim në fushën e ekipit me renditje më të mirë të sezonit. Në raundin e parë do të marrin pjesë 2 ekipet e renditura në vendin e 9-të dhe të 10-të të Superiores në sezonin 2022-2023 si dhe 14 ekipet pjesëmarrëse në kampionatin e Kategorisë së Parë në sezonin 2022-2023, 12 ekipet e renditura në gjashtë vendet e para të Kategorisë së Dytë të grupeve A dhe B në Sezonin 2022-2023, si dhe katër ekipet e kualifikuara nga turi para-eleminator.