Tabaku thirrje Ahmetajt: Bashkëpuno me drejtësinë, t’i çojmë deri në fund hetimet për aferën e inceneratorëve
Ish-kryetarja e komisionit parlamentar hetimor për incineratorët, Jorida Tabaku ka zbardhur detaje të reja mbi kërkesën për arrestimin e Arben Ahmetaj. Sipas saj në këtë aferë janë përfshirë 50 persona ku deri më tani 21 janë nën hetim prej prokurorisë.
Por shton se ish- zëvendëskryeministri ka ushtruar presion mbi punonjësit që kanë refuzuar të vijonin procedurat me shkelje.
“Ashtu si komunikuar nga SPAK, një nga akuzat për të është Korrupsioni dhe fshehja e Pasurisë në lidhje me Aferën e djegësave, apo inceneratorëve si e njeh publiku gjerësisht. Një lexim i kujdesshëm i kërkesës së publikuar tregon se si afera e tre inceneratorëve që janë instalacionet e korrupsionit në vendin tonë, dëshmon se si ish Zv Kryeministri sot akuzohet për përfitimet që ai ka marrë prej pronarëve të tyre. Së paku ato që janë provuar.
Mbi 11 padi të dorëzuara në SPAK nga unë në emër të Partisë Demokratike, me 50 persona të akuzuar, sot 21 përpara drejtësisë dhe me shpresën që dhe pjesa tjetër të vazhdojë të hetohet. Të gjitha të nisura me padinë e parë në Tetor të 2020 e cila mban numrin 277. I kam vendosur SPAK në dispozicion mbi 20 CD me prova dhe SPAK ka qënë në komunikim me Parlamentin muajt e fundit ku ka marrë dhe të zbardhura të gjitha dëshmitë e të gjithë personave në hetim.
Kam një thirrje për Ahmetajn, thirrja imë është bashkëpunoni me drejtësinë, SPAK, shqiptarët kanë nevojë që ti shkohet kësaj afere deri në fund”, tha Tabaku.
Një ditë më parë ishte Sali Berisha që kërkoi nga Ahmetaj të bëhej i penduari drejtësisë, ndërsa këtë të martë të njëjtës thirrje iu bashkua edhe Tabaku.
Tabaku në konferencën për mediat u kujdes të theksonte se fillimisht ka qenë Partia Demokratike e cila ka denoncuar shkeljet, e më tej iu bashkuan edhe subjekte të tjerë.
