Balla e Ahmetaj, lëvizje në PS/ Tre emrat në garë për kryetarin e grupit, Begaj firmos shkresën për ministrat

Kërkesa për arrestimin e Arben Ahmetajt, largimi nga parlamenti i Rrahman Rrajës por edhe rotacioni në ministrinë e brendshme kanë vënë në lëvizje socialistët.

Për këtë të fundit në tryezën e presidentit Bajram Begaj ka mbërritur shkresa e shkarkimit të Blendi Çuçit dhe emërimit të Taulant Ballës, i cili do të duhet të lërë detyrën e kryetarit të grupit parlamentar.

Emri që do të drejtojë deputetët e PS është diskutuar edhe në mbledhjen e kësaj të hëne ku mësohet se janë propozuar Ermonela Felaj, Toni Gogu dhe Arben Pëllumbi por pa dalë në një përfundim.

Dalja e lajmit se spak kërkon heqjen e lirisë për arben ahmetajn besohet se është bërë temë për një tjetër diskutim në vilën 30, ku pas mesditës mbërritën Taulant Balla, Engjell Agaci dhe Ulsi Manja, edhe pse nuk dhanë një koment për mediat.

Ndërkaq burimet nga socialistët theksuan se për rastin Ahmetajn do të votojnë pro dokumentit të SPAK duke shtuar se i qëndrojnë premtimit për të miratuar çdo kërkesë që do të mbërrijë nga drejtësia e re.