Incineratori në "derën" e Kuvendit/ Këshilli i mandateve shqyrton kërkesën e arrestimit, a do të paraqitet Ahmetaj?

Arben Ahmetaj është i zgjedhuri i tretë në këtë legjislaturë për të cilin kërkohet arrestimi prej dosjes së incineratorëve të mbetjeve. Në dy të parat, si Lefter Koka dhe Alqi Bllako kanë dhënë dorëheqjen duke bërë që Kuvendi të mos diskutojë kërkesën e SPAK. Tashmë do të shihet nëse ish- zëvendëskryeministri do të zgjedh të mbrohet në seancë, apo do ti hapë rrugën prokurorisë të vijojë me heqjen e lirisë dhe kontrollin e banesës

Kërkesa për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe kontrollin në banesën e tij do të duhet të shqyrtohet nga këshilli i mandateve, i cili përbëhet nga 15 anëtarë ku 7 prej tyre janë të opozitës.

Sipas nenit 13 dhe 118 të rregullores së kuvendit dosja e plotë do tu shpërndahet anëtarëve por edhe vetë Ahmetajt. Ky i fundit ka të drejtën që të paraqitet për të dhënë kundërshtimet e tij fizikisht ose edhe përmes një raporti me shkrim që duhet ti nënshtrohet diskutimit në seancë.

Në këtë rast nëse ish-zëvendëskryeministri do të kërkojë të paraqitet vetë, fillimisht do ti jepet fjala atij, e më tej pyetjeve nga deputetëve duke vijuar me komentet.

Procedura parashikon që në përfundim të diskutimeve, ndërsa dy javëve do të duhet që këshilli ti dërgojë raportin seancës plenare që mund të jetë nga një ose prej dy relatorëve të çështjes

Por në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë ajo  konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Ky është rasti i tretë kur SPAK kërkon masë arresti për parlamentarët në rastin e incineratorëve. Por në dy të parët këshilli nuk është mbledhur, pasi Lefter Koka nuk e mori mandatin e deputetit, ndërsa Alqi Bllako  e dorëzoi mandatin pak orë para mbledhjes së anëtarëve. Në këtë mënyrë nuk u legjitimua mbledhja apo zhvillimi i diskutimeve duke bërë që SPAK të vepronte automatikisht me arrestimet apo masa të tjera.