"Ahmetaj të flasë!" Berisha: Balla lidhje të forta me eksponentë të krimit, Rama pas incineratorëve
Sali Berisha ka pritur dy ditë për të dalë në deklaratë kundër emërimit të Taulant Ballës ministër të brendshëm. Për mediat ai e akuzoi si personin që ka lidhje me ekspontentë të krimit të organizuar.
‘Në emërimin e Taulant Ballës në krye të rendit për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar emërohet ministër një person që ka dy hetime penale të hapura njërin ndërkombëtar dhe tjetrin kombëtar.
Është akuzuar si pritës i 5 mln eurove para të sjella në Shqipëri me Toyota Yaris, por kjo nuk është mbyllur në Belgjikë ku ai hetohet për dosjen në fjalë.’- u shpreh Berisha.
Edhe pse deklaroi se nuk dëshironte të komentonte ngjarje të tjera, nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve për kërkesën e SPAK mbi arrestimin e Arben Ahmetajt.
"Në mënyrën më të padiskutueshme kreu i meduzës së kësaj afere është Edi Rama. Është Edi Rrama që deklaroi se firmosja fap, fap, fap kur nuk duhej të firmoste kurrë. Nëse më pyet mua, ministri i Financave ka përgjegjësitë e padiskutueshme, qoftë me veprimin, qoftë me mosveprimin, ’u shpreh Berisha.
Edhe pse nuk ia përmendi emrin, Sali Berisha kishte edhe një thirrje për Ahmetaj, pak orë para se Kuvendi të niste diskutimin për lejimin e arrestimit.
"Uroj t’u thotë shqiptarëve që se si ia imponoi Edi Rama, ku ishte kur Rama i shkoi me avion për t’i imponuar firmosjen. Por nga ana tjetër, ligji kurrë mëshirë për frikacakun nuk ka," tha ai.
