Basha: Ngjarja e Fushë-Krujës nuk mund të kalojë thjesht me rrokadë emrash

 Ish-kryetari i Partisë Demokratike, deputeti Lulzim Basha u shpreh se ngjarja e Fushë-Krujës nuk mund të kalojë thjesht dhe vetëm me rrokadë emrash.

Sipas Bashës, “ajo nuk është një rast i izoluar, të tilla ka përditë, ku me arrogancë të pushtetshmit e Edi Ramës dhunojnë qytetarët, familjet, bizneset, gazetarët dhe opozitarët”.

“Por dhunuesi më i madh prej vitesh është vetë qeveria e ndërtuar mbi lidhjet e saj me krimin i cili sot e kontrollon kokë e këmbë. Për sa kohë Edi Rama, njeriu që përfaqëson, lidh dhe mbron interesat e krimit dhe oligarkisë do ta drejtojë qeverinë, ngjarje të tilla do të vijojnë të jenë të përditshme, pjesa më e madhe fatkeqësisht jashtë vëmendjes mediatike”, u shpreh Basha.

Ai theksoi se largimi i Çuçit dhe ardhja e Ballës nuk ndryshon asgjë veç radhës së mbrojtjes së interesave të klaneve dhe grupeve kriminale.

“Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet në duart e klaneve kriminale. Prandaj është jetike ndarja e politikës nga krimi, lufta kundër korrupsionit dhe vetingu i politikaneve. Vetëm kështu parlamenti dhe qeverisja do të pastrohen dhe kthehen në shërbim dhe jo dhunim të qytetarëve”, tha Basha.