Rama: Hiqen tonelata me mbetje të depozituara në hyrje të Shirokës
Pastrimi nga inertet dhe mbetjet i territorit si brenda edhe jashtë qytetit të Shkodrës është angazhimi kryesor i kreut të ri të bashkisë, Benet Beci.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga pastrimi i pikës hyrëse të zonës turistike të Shirokës, ku janë larguar tonelata me mbetje.
“Vijon me këmbëngulje puna për pastrimin e mbetjeve të grumbulluara ndër vite duke bërë të mundur heqjen e tonelata mbetjesh të depozituara prej kohësh në pikën hyrëse të zonës turistike të Shirokës, që e kishin kthyer në një nga hapësirat më të ndotura të qytetit”, tha Rama.
Beci ka theksuar se pastërtia në të gjithë territorin e veçanërisht në zonat turistike, është domosdoshmëri jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve e të mjedisit, por parakusht për zhvillimin e turizmit.
Në këtë kuadër, bashkia e Shkodrës ka njoftuar edhe të gjithë individët dhe subjektet private të marrin masa për të liruar hapësirat publike të zëna padrejtësisht.
