FSHF, Asambleja e zakonshme 2023 bën bilancin e 1 viti futboll në vend. Asnjë votë kundër (VIDEO)

Asambleja e zakonshme FSHF është mbledhur për takimin e përvitshëm ku bën bilancin e 12 muajve të fundit por miraton edhe vendime të rëndësishme për të ardhmen.
Të pranishëm në këtë Asamble ishin pothuajse të gjithë anëtarët e FSHF-së, ndërsa Agim Ademi nga FFK dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi janë të ftuar për të marrë pjesë me fjalën e tyre. Në këtë Asamble morën pjesë 48 delegatë nga 51 që numëron në total FSHF.

Kushi e mbylli fjalën e saj duke vendosur theksin në atë që e cilësoi bashkëpunim të shkëlqyer me FSHF-në gjatë vitit të fundit.
Armand Duka:
"Asnjëherë ne nuk jemi nisur në politikat tona për interesa personale, por gjithmonë për interesin e institucionit, duke vendosur lojën mbi të gjitha. Çdo projekt, financim, aktivitet që kemi kryer gjatë kësaj periudhe është në përputhje të plotë dhe për të realizuar objektivat e miratuara nga ju në strategjinë ‘Futbolli për Kombin 2022-2025’, duke filluar që nga projektet ‘Uniforma ime’ dhe vazhdimi i projektit ‘Topi yt’, investimet e gjithçka tjetër. Po shkon drejt fundit sezoni i parë i kampionateve të moshave, pas reformës se propozuar nga komisionet perkatese e miratuar nga KE. Një reforme jo vetem e nevojshëm por e domosdoshëme për të rritur më shumë profesionistë nëpërmjet garave më të forta, por edhe për të krijuar më shumë hapësira për shtimin e numrit të futbollistëve nëpër zona rajonale. Falë kesaj reforme, projektit ‘Uniforma Ime’, ‘Topi Yt’, e investimeve në infrastrukturë gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 1 mijë e 100 fëmijë më shumë. Në total sot kemi 21,720 lojtarë të regjistruar 18.100 djem dhe vajza nga 7-19 vjec. Nuk do të ndalemi në financimin, mbështetjen dhe incentivimin e futbollit të fëmijëve. Ne kemi shpallur objektivin për të arritur në 23 mijë fëmijë që luajnë futboll në shoqatat e akademitë tona deri në vitin 2025 dhe nuk kam asnjë dyshim që falë reformave dhe projekteve tona ky objektiv do të tejkalohet.
Përfunduam dhe inaguruam Shtëpinë e Futbollit. Një kompleks që është padiskutim një krenari për futbollin tonë duke mundësuar kushte të një niveli europian për ekipet tona Kombëtare. Me tre fusha futbolli, sistem ndriçimi, fizioterapi, palestër, ambiente rikuperuese, 4 dhoma zhveshjeje e ambiente për zyrtarë ndeshjes për të mirëpritur ekipin Kombëtar dhe turne ndërkombëtar siç ishte turneu i 12-të, UEFA Development Tournament që u mbyll javën e shkuar në Shtëpinë e Futbollit. Një kompleks stërvitor i orientuar drejt energjisë së pastër dhe të rinovueshme, eco-friendly, falë investimit që kryem për panelet diellore. Ka nisur transformimi i Qendrës Sportive Kamëz, ku po rinovojmë të gjithë ambientet dhe në të njëjtën kohë po ndërtojmë një fushë të tretë stërvitore me bar artificial. Kemi vijuar investimet në stadiumin Kukës Arena, përfunduam aneksin e Kukës Arena, një investim në kuadër të projektit tonë të 100 fushave. Kemi mbështetur investimin gjigand të familjes Demi për klubin e Partizanit. Gjej rastin ta falenderoj Presidentin Demi për këtë vlerë të shtuar në futbollin shqiptar. Përfunduam një ndërhyrje rrënjësore në stadiumin e Lushnjes, inaguruam një fushë me bar artificial për akademinë e Lushnjes dhe po ecën investimi për ndërtimin e fushës të dytë me bar natyral pranë stadiumit. Përmbyllëm me sukses investimin në stadiumin e Vorës, një tjetër bashkëpunim i frytshëm me Bashkinë atje për ndërtimin e një stadiumi komod ku ne si Federatë kishim një pjesë të ndjeshme të investimit. Në Vorë gjithashtu po ecim për finalizimin e një tjetër investimi, konkretisht në Ahmetaq për ndërtimin e një terreni të ri stërvitor me tapet artificial ku do të stërvitet ekipi i Vorës dhe të gjithë skuadrat e akademisë. Transformuam krejtësisht stadiumin e Luzit duke e kthyer në një ambient model, një investim që na shërben shumë edhe ne për turnet ndërkombëtar që organizojmë. Një investim madhor ishte në Orikum ku sëbashku me Bashkinë rinovuam plotësisht bazamentin dhe vendosëm tapetin artificial. Inaguruam aneksin e dytë të Klubit Teuta, edhe ky një projekt në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe klubin Kemi miratuar shtrirjen e investimeve në të gjithë vendin siç janë fushat në Shkodër, Laç, Divjakë, Përmet, Roskovec, Lezhë e Berat.
Mbështetur te strategjia jonë 5 vjeçare rritja ka qënë cilësore dhe sasiore. Ekipi ynë Kombëtar i vajzave arriti rekordin e pikëve në një fushatë eliminatore për Kupën e Botës plot 10 pikë, duke na bërë shumë krenar. Ekipi jonë kampion, Vllaznia, arriti të shkruajë historinë duke arritur në fazën e grupeve të Champions League duke u përballur me skuadrat më të mëdha të botës. Arritje këto që konfirmojnë se politika jonë për të investuar një pjesë të rëndësishme të buxhetit te futbolli vajzave ka dhënë frytet e veta”, – shtoi Presidenti Duka, duke përmendur edhe zhvillimet pozitive të futbolli amator, sektorin e edukimit përmes kurseve të formimit, kontributin e KE-së, ecurinë dhe objektivat e ekipeve kombëtare si edhe sfidave që FSHF a përpara.
Ekipi Kombëtar ka përpara një objektiv të rëndësishëm, por plotësisht të arritshëm: Kualifikimin në Kampionatin Europian Gjermani 2024. Me mbështetjen e Federatës, tifozëve, opinionit publik dhe duke qënë bashkë të gjithë aktorët dhe faktorët ne besojmë se do ta rikthejmë Shqipërinë në Euro2024. Në këtë vit ne do të vazhdojmë të investojmë pandalim projekte infrastruktore për të ndërtuar sa më shumë fusha futbolli në të gjithë vendin. Sfidat janë të mëdha, por ne pëlqejmë të sfidohemi dhe ti arrijmë të gjithë ato. Ashtu si edhe atë për organizimin e një Kampionati Europian në Shqipëri. Dua të ndaj me ju lajmin e shkëlqyer se administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit sapo ka përmbyllur aplikimin për organizimin e një Europiani për moshat në vendin tonë. Jam shumë optimist se aplikimi jonë do të jetë fitues dhe Shqipërisë do ti besohet organizimi i një kompeticioni madhor europian".
Agim Ademi:
“Dua ta falënderoj për punën që ka bërë presidentin Duka, i cili u votua i pari në Asamblenë dhe Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Është nder për ne. E uroj sot, pasi nuk kam pasur mundësinë të jem pjesë e atij kuvendi për arsye personale. Është nder për ne dhe gjithë futbollin shqiptar dhe kosovar, që e kemi një njeri të tillë. Nuk është e lehtë që të votohesh dhe të marrësh pikët maksimale e të jesh i pari i votuar në Komitetin Ekzekutiv. Prandaj mirënjohje të madhe nga gjithë komuniteti i futbollit shqiptar. Jam gjithmonë i nderuar kur vij në këto kuvende, pasi po shihet të flitet për suksese në rezultate në klube. Rezultatet janë ato që shihen, por meqë futbolli është sport kolektiv dhe luhet me disa futbollistë dhe me një staf tjetër, mendoj se kështu të bashkuar dhe kolektivisht duhet ta udhëheqim edhe futbollin tonë, që të ngrihemi sa më lart në Europë, e pse jo të kthehemi – ndoshta të dy ekipet, ekipi kombëtar dhe përfaqësuesja e Kosovës – në Europian, por edhe në Kampionatin Botëror. Shqipëria ka qenë edhe më parë në Europian, dëshiroj që ta përsërisë këtë sukses”.
Gjatë kësaj asambleje u bë një rezyme e punës së bërë nga ky institucion gjatë 12 muajve të fundit ndërsa u votuan edhe disa vendime të rëndësishme ku fillimisht ishte miratimi i Asamblesë zgjedhore të vitit të kaluar. Raporti i aktiviteteve për vitin 2022 u miratua gjithashtu me shumicë votash.
Raporti financiar i vitit 2022 që përfshin raportin e të ardhurave, shpenzimeve si dhe bilancin e 12 muajve që lamë pas, nuk mori asnjë votë kundër. Raporti i auditimit të kompanisë ndërkombëtare “Grand Thornton” nuk hasi në kundërshti nga ana e 48 delegatëve të pranishëm në sallë, ndërsa miratim morën edhe pasqyrat financiare të konsoliduara të vitit 2022.
Propozimi për projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm që anëtarët e asamblesë e kanë marrë disa javë më parë, shënon rritje për vitin 2023 nga të ardhurat e shitjes së të drejtave televizive kombëtare dhe ndërkombëtare. Një risi është menaxhimi i një pjese të të ardhurave nga shoqatat rajonale. Edhe jo pikë gjeti mbështetjen e plotë të Asamblesë ashtu si edhe disa ndryshime jo shumë të rëndësishme statutore që lidhen kryesisht me gjuhën juridike.



Në përditësim...
