Gjysmëfinalja e parë e Milanos vishet zikaltër, Inter dominon Milanin (VIDEO)
Në nivele të tilla përqëndrimi që nga minuta e parë është shumë i rëndësishëm dhe Milani nuk e pati e brenda 11 të tillave pësoi 2 gola që e rrëzuan në tokë dhe ndikuan në pjesën tjetër të ndeshjes. Kjo është pak a shumë pasqyra e gjithë ndeshjes së parë gjysmëfinale të Champions League mes kuqezinjve dhe Interit në derbin e Milanos.
72 mijë të pranishëm në “San Siro” dhe miliona të tjerë në mbarë botën ndoqën derbin e Madonina-s që e shtyn Interin drejt finales së Stambollit ku Inzaghi ka hedhur një hap të madh ndërsa Pioli dhe Milani zhgënjejnë duke e mbyllur aktin e parë me një shtyllë të Tonalit dhe disa shkëndija të vakëta në pjesën e dytë.
Golave të Dzeko-s dhe Mkhitaryan “Djalli” nuk arriti t’u përgjigjej duke zhvilluar një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit në Europë. Gabime të shumta në mbrojtje dhe amulli në të gjitha repartet e skuadra kampione e Italisë u zgjua vetëm në të dytën ku sërish Interi humbi një rast tjetër me Dzekon të cilit i mohoi Maignan një gol që mund të kishte mbyllur përfundimisht çështjen e kualifikimit.
Më pas Milani reagoi duke marrë më shumë inisiativën por vetëm kaq. Kuqezinjtë zhgënjejnë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit dhe ndryshe nga gjysmëfinalja e 20 viteve më parë, këtë herë duket se do ta kenë pothuajse të pamundur për të shkuar në finale nëpërmjet rrugës së shtruar në derbi.
