Fundjavë buzë liqenit/ Dhjetëra qytetarë nga Kosova kalojnë fundjavën në Pogradec
Koha me diell që po mbizotëron në vendin tonë ka bërë që dhjetëra qytetarë nga Kosova të kalojnë fundjavën në Pogradec. Ata janë shprehur të kënaqur me qytetin buzë liqenit, ndërsa thonë se mikëpritja dhe zonat turistike janë të mrekullueshme.
Dhjetëra qytetarë nga Kosova zgjodhën që këtë fundjavë ta kalojnë në qytetin e Pogradecit.
Liqeni, natyra, mirëpritja e banorëve dhe jo vetëm janë disa nga cilësitë që kanë tërhequr vizitorët!
Disa prej turistëve tregojnë përshtatjen e tyre për qytetin liqenor.
"Jam nga Prizreni, kemi ardhur mbrëmë. Kemi kaluar shumë mirë gjatë rrugës. Qyteti është shumë i mirë. Jemi të kënaqur me mikëpritjen e banorëve këtu.
Është hera e parë që vij këtu por hera e parë që vij në Shqipëri se jetojmë në Londër.
Pritja e mirë, ushqimi i mirë, vendi shumë i mirë," thanë ata.
Njëri nga menaxherët e kompanive turistike që sjell me dhjetëra turistë kosovarë në këtë qytet tregon pse Pogradeci është kthyer në një destinacion kryesor për ta.
"Pogradeci është një destinacion i kosovarëve që vizitojnë në fundjavë. Vijnë me dy oferta të ndryshe, 2 dhe 3 ditore," tha ai.
Vitin e kaluar mbi 200 mijë turistë vizituan Pogradecin e afro 1 milion liqenin e Ohrit nga të dyja palët, shqiptare dhe maqedonase.
