Kombëtarja e veteranëve bën tre “blerje" të reja, ja kuqezinjtë e shtuar në listë (VIDEO)

Kombëtarja e veteranëve bën tre “blerje" të reja,
Një skuadër kuqezi zyrtare e veteranëve. Ky është projekti që ka ndërmarrë FSHF që synon të kompletojë gjithë zinxhirin e skuadrave zyrtare të Shqipërisë deri në hallkën e fundit. Kombëtarja Shqiptare e Veteranëve që ka nisur punën disa javë më parë nën drejtimin e trajnerit Sulejman Mema, po merr formë. Tre afrimet e fundit janë Kapllani, Lila dhe Shkëmbi, të cilët flasin për pritshmëritë që kanë nga skuadra e cila do të bëhet pjesë e kalendarit zyrtar të UEFA-s dhe FIFA-s.

 Edmond Kapllani:

“Është një vlerësim maksimal nga ana ime, sepse është shumë e rëndësishme që edhe Kombëtarja shqiptare të ketë edhe një ekip veteranësh. Një iniciativë mjaft e bukur dhe dua t’i bëj komplimentet e mia organizatorëve dhe profesor Memës. Personalisht e shoh si një eveniment mjaft interesant dhe të bukur. Është shumë e rëndësishme në fakt krijimi i kësaj tradite. Unë kam vetëm pak ditë që kam ardhur në Shqipëri, sapo ma bënë ftesën erdha me një dëshirë e kënaqësi të madhe, sepse këtu kam gjetur shumë lojtarë me të cilët në të kaluarën kemi luajtur bashkë, si në një ekip ashtu edhe si kundërshtarë, kjo traditë e krijuar është shumë e rëndësishme mendoj edhe për futbollin shqiptar”.

Kombëtarja e veteranëve bën tre “blerje" të reja,

Andi Lila:

“Sinqerisht ndihem shumë mirë që jam këtu. Që në momentin e parë që profesor Mema na bëri ftesën për t’u aktivizuar te Kombëtarja e veteranëve, padyshim e pranova me kënaqësinë më të madhe. Komplimente FSHF-së për këtë iniciativë dhe shpresoj që kjo gjë të vazhdojë dhe të jetë një projekt serioz edhe në vazhdimësi, siç e kanë edhe vendet e tjera të botës, pse të mos e ketë edhe Shqipëria. Normalisht pas një kohe të gjatë këtë iniciativë e shoh shumë të gjetur nga ana personale, por edhe pas shkëputjes nga futbolli i luajtur të ritakohesh me shokët e skuadrës është diçka shumë pozitive për ne, por edhe kushtet këtu janë fantastike. Jam shumë i kënaqur dhe shpresoj që të bëjmë më të mirën edhe në fushën e lojës. Jam i bindur se do të jap kontributin tim maksimal te Kombëtarja e veteranëve me aq mundësi sa kam, ashtu siç kam bërë edhe kur isha pjese e Kombëtares A”.

Kombëtarja e veteranëve bën tre “blerje" të reja,

Bledi Shkëmbi:

“Në fakt, duket e çuditshme, por është një nismë shumë e bukur. Komplimentet e mia FSHF-së, organizatorëve, sepse na bënë të riveshim fanellën e Kombëtares, që është diçka e madhe për një futbollit. Patjetër që kemi dëshirën e duhur, për të riveshur këtë fanellë, për të bërë më mirë dhe përveç të tjerash ritakohemi me shumë shokë me të cilët kemi luajtur dikur bashkë. Që ditën e parë jemi ndjerë të emocionuar, bëhet një Kombëtare e rregullt veteranësh që nuk ka qenë më përpara, është një nismë e re. Ne jemi të kënaqur dhe krenarë që mbase jemi si të thuash brezi i parë i kësaj tradite të bukur”.