Nepotizëm edhe në Gjermani, djali i Uli Hoeness mund të zëvendësojë Oliver Kahn te Bayern Munchen

Kush mendon që edhe në vende të zhvilluara dhe të përparuara si Gjermania nuk ka nepotizëm, gabohet rëndë. Nuk është ende një lajm i konfirmuar por nëse gjen baza, atëherë do të ishte një lëvizje shumë e bujshme.

Djali i ish-presidentit të Bayern Munchen, Uli Hoeness, Florian Hoeness, përflitet si pasues i mundshëm i Oliver Kahn në postin e administratorit të deleguar të klubit më të titulluar dhe të famshëm të Gjermanisë. Uli ka qenë një nga njerëzit më të fuqishëm për rreth 2 dekada në Bavari por edhe tashmë që është larguar zyrtarisht nga posti i presidentit, influenca e tij në zyrat e Bayern Munchen mbetet shumë e madhe.

Kahn po përballet me kritika të shumta për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme, jo vetëm për shkak të rezultateve por edhe për mënyrën se si menaxhoi shumë çështje të nxehta si ato të Nagelsmann, Mane apo Neuer.

Presidenti aktual Herbert Hainer ka mohuar çdo zë që e shikon Kahn jashtë klubit, ndërsa alternativa të tjera për ta zëvendësuar janë edhe Philipp Lahm, Oliver Bierhoff, ish kreu i federatës Christian Seifert apo edhe vetë Uli Hoenes.