Orges Shehi kërkon maksimumin nga transferta e Shkodrës: Nuk mendojmë për derbin me Partizanin!
Trajneri Orges Shehi nuk dëshiron të shikojë përtej ndeshjes së Shkodrës nga ku synon për të dalë me 3 pikë që do t’i lehtësonin rrugën drejt titullit të dytë rresht. Në prag të klasikes me Vllazninë, tekniku kampion në fuqi beson te skuadra dhe kërkon të largojë sa më shumë presionin që buron edhe nga fakti që derbi i mesit të majit po afron.
“Do të bëjmë maksimumin, pavarësisht kundërshtarit që do të kemi përballë. Unë nuk jam aspak në presion sepse ne do të luftojmë të marrim maksimumin e pikëve pas një barazimi dhe dy humbjeve këtë sezon me Vllazninë. Luajmë në një impiant fantastik me kushte optimale dhe e theksoj që ne do të luftojmë që të marrim maksimumin.
Pas kësaj sfide do të jenë edhe 7 të tjera dhe gabimet në këtë pikë të sezonit mund të kushtojnë shumë. Nuk dua të mendojmë për derbin sepse deri në atë moment do të luajmë edhe tre ndeshje dhe tani duhet të fokusohemi vetëm te Vllaznia. Nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhë pas 31 majit. Tirana ka pasur plot trajnerë të mirë dhe është normale që të punojë me më të mirët. Është një vkerësim për mua që presidenti Halili kërkon që të vazhdoj”.
