Shumë zhurmë për asgjë, vetëm gjobë për dhunën në derbi, Federata e Basketbollit nuk ka pamje

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit ka marrë vendimet pas dhunës dhe përplasjeve në oërfundim të derbit të basketbollit Partizani-Tirana për femra. Banister dhe Eduars të Partizanit dhe Dishnica e Qosja të Tiranës ishin protagonistet e përplasjes që përfundoi një kaos total por Disiplina është mjaftuar vetëm me disa gjoba.

Partizani si ekip pritës është gjobitur me 10.000 lekë për hyrjen e spektatorëve në fushën e lojës para, gjatë dhe pas ndeshjes, si dhe me 100.000 lekë për ushtrim dhune nga spektatorët ndaj pjesëtarëve të ekipit të Tiranës, lojtarëve dhe trajnerëve.

Për sjellje josportive të lojtarëve e trajnerëve, apo dhe personave të tjerë, të cilët qëndrojnë në stol, që nuk janë ndëshkuar nga gjyqtarët, por janë referuar nga vëzhguesi, Banister, Eduards, Dishnica dhe Qosja gjobiten me 10.000 lekë secila. Për ushtrimin e dhunës, apo sulmin fizik ndaj kundërshtarëve, Banister, Eduards dhe Dishnica gjobiten me 50.000 lekë.

Komisioni i Disiplinës në mungesë të pamjeve filmike nuk ka marrë vendim përjashtimi për lojtaret, por tërheq vëmendjen për marrjen e masave për zhvillimin normal të ndeshjes.