Bye bye Bayern, Manchester City sfidon Real Madrid, përsëritet gjysmëfinalja e sezonit të kaluar (VIDEO)

Bye bye Bayern, Manchester City sfidon Real Madrid, përsëritet
Munchen Arena nuk rezultoi kështjella e zakonshme e Bayern-it pasi në shtëpinë e kampionëve të Gjermanisë, ligjin e bëri një armik i vjetër i tyre, Erling Halaand.

Pep Guardiola dhe armata e tij bardhekaltër siguroi për herë të tretë rresht gjysmëfinalen e UEFA Champions League pasi barazoi në shtëpinë Bayern Munchen. Ndeshje e luftuar por e kontrolluar nga miqtë që shpërdoruan edhe një 11-metërsh po me Halaand por norvegjezi në cilësinë e një bomberi të vërtetë, e fshiu zhgënjimin me një gol prej sulmuesi rrace.

Një lojtar që Bayern-it i mungon pas largimit të Lewandowski-t dhe që Guardiola për fatin e tij të mirë e ka në skuadrën e tij. 48 gola në 41 ndeshje në sezonin e tij të parë me fanellën e Manchester United, sulmuesi nordik po kalon çdo pritshmëri.

Në krahun tjetër, Thomas Tuchel i jep lamtumirën një tjetër kompeticioni dhe tashmë duhet të fokusohet tërësisht te kampionati. Barazimi 1-1 në Munchen dhe 4-1 në total është ndoshta rezultat i pamerituar për Bayernin pasi Sane gaboi një rast të pastër në pjesën e parë ndërsa krijoi volum loje duke e rrezikuar disa herë portën e Manchester City.  

Gjysmëfinalja e këtij sezoni, ashtu si edhe një vit më parë do të kalojë sërish nga Madridi dhe Manchesteri.