FSHF, Apeli fal Egnatian, e rikthen në shtëpi pas dënimit shembullor
Komisioni i Apelit zhvlerëson vendimin e Etikës dhe Disiplinës në FSHF që dënoi Egnatian me zhvillimin e ndeshjeve në fushë asnjëanëse deri në fund të sezonit.
Vendimi është marrë ditën e sotme nga komisioni i Apelit që pranon ankimimin e Egnatias dhe e redukton vetëm në 1 ndeshje dënimin, çka do të thotë se rrogozhinasit me shumë mundësi do ta luajnë në Elbasan sfidën e radhës si pritës.
Ajo që nuk ndryshon është zhvillimi i ndeshjeve të mbetura me dyer të mbyllura për shkak të trazirave që kanë shkaktuar tifozët dhe zyrtarët e Egnatias.
Vendimi i plotë;
1. Pranimin e pjesshëm të ankimit të Klubit të Futbollit Egnatia.
2. Ndryshimin e Vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës nr.32, datë 13.04.2023, pika 1 duke vendosur zhvillimin e vetëm 1 (një) ndeshjeje në fushë asnjanëse dhe pjesën e mbetur të ndeshjeve per sezonin futbollistik 2022-2023, pa spektatorë.
3. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër.
