Napoli, Luciano Spalleti e ka me arbitrimin por përgëzon Milanin
Të penalizuar në Milano, të penalizuar edhe në Napoli. Në kampin e kaltër ndihen të vjedhur në 180 minutat e sfidës çerekfinale me Milanin.
Pas polemikave të “San Siros”, këtë herë është një moment shumë delikat i ndeshjes që do të gjenerojë debate ndoshta edhe në të ardhmen dhe bëhet fjalë për ndërhyrjen e Leaos në dëm të Lozanos gjatë pjesës së parë që Luciano Spalleti e cilëson një rast të pastër për 11-metërsh.
“E ndiej për detyrë të uroj kundërshtarin për kualifikimin. Në dy ndeshje arritën të marrin maksimumin dhe këto janë sinjalet që jep një skuadër e pjekur me lojtarë me shumë eksperiencë.
Arbitrimin e ndeshjes së parë nuk e kundërshtuan vetëm milanistët ndërsa këtë herë ka një penallti shumë të qartë pasi kavilja e Lozanos përthyhet në mënyrë të dukshme nga ndërhyrja e Leaos. Nuk mund të mos e shikosh në VAR një episod të tillë. Ky nuk është një kontakt, por një goditje në kaviljen e lojtarit. Kjo është një penallti e pastër”.
