Derbi i Milanos bëhet realitet, Inter-Milan përsërisin historinë në gjysmëfinale 20 vjet më pas (VIDEO)

Derbi i Milanos bëhet realitet, Inter-Milan përsërisin
Duhej thjesht çertifikimi dhe pas 90 minutave të dyta ka ardhur. Interi kualifikohet në gjysmëfinalen e UEFA Champions League duke iu përgjigjur Milanit 24 orë pas kalimit të kuqezinjve në Napoli.

Poll

Saktësisht 20 vjet pas derbit të famshëm të Milanos, po në fazën gjysmëfinale ku Milani i Ancelottit kaloi në finale pas dy barazimeve, historia përsëritet. Ndaj Benfica-s, Interi ruajti avantazhin e dyfishtë të Lisbonës në “San Siro” ku barazoi me rezultatin 3-3 në një ndeshje ku ashtu si një javë më parë në Portugali, u shfaq superior ndaj skuadrës së “shqiponjave”.

Sfidë që tregoi fytyrën tjetër të zikaltërve, ndryshe nga Serie A ku si për ironi Interi rrezikon të qëndrojë jashtë zonës Champions. Lajmi i mirë për Simone Inzaghi-n është zhbllokimi i Lautaro Martinez, i cili gjeti golin pas më shumë se një muaji e gjysmë shterpësi por edhe i Correas pa gol që prej tetorit, ndërsa Interi rikthehet në një gjysmëfinale të UEFA Champions League pas 13 viteve mungesë sepse herën e fundit që u kualifikua deri në këtë fazë, arriti të fitonte edhe trofeun.

Ndeshja e parë Milan-Inter do të luhet në datën 10 maj, ndërsa ajo e kthimit Inter-Milan një javë më pas.