Intervista “fake” e Schumacher, revista gjermane e shet si të vërtetë
Michael Schumacher bën bujë edhe pse prej një dekade është në gjendje jo të mirë shëndetësore, duke i kaluar ditët në shtratin e vilës në Gjenevë në gjendje vegjetative.
Edhe pse 7 herë kampioni i Formula 1, Michael Schumacher nuk ndërvepron apo bisedon, një revistë gjermane ka bërë një gafë të madhe duke shitur një intervistë të rreme si të vërtetë.

Legjenda nuk mund të flasë apo të bashkëveprojë për shkak të dëmtimeve në tru pas aksidentit me ski, ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve, shumë pak informacione apo foto janë publikuar në lidhje me gjendjen e tij aktuale. Copëza të shkëputura dëshmish nga miqtë apo familjarët janë përdorur nga mediat që kanë respektuar privatësinë e familjes edhe pse gjatë ditëve të fundit ka pasur një zhvillim tronditës në këtë aspekt.
Revista gjermane “a” publikoi faqen e parë me një foto të Schumacher të buzëqeshur ku thekson se kampioni flet në një intervistë ekskluzive. Revista daton në 15 prill, por në brendësi zbulohet se intervista është bërë nga një program që lidhet me inteligjencën artificiale.

Ky fakt ka ngjallur zemërimin e tifozëve dhe fanatikëve të figurës së Schumi-t, të cilët e kanë cilësuar të turpshëm këtë veprim nga ana e revistës në fjalë. Për ta bërë sa më të besueshme intervistën e “rreme”, në krah të titullit të madh shkruhet gjithashtu “sensacion botëor” ndërsa citohen disa pasazhe të shkurtra të kamionit që në këtë rast nuk kanë dalë nga goja e tij.
