Administrata në "hall" për punonjës, problem specializimi dhe diploma universitare

Edhe administrata shtetërore e ka të vështirë të gjej punonjës në disa sektor të saj. Në raportin DAP në vitin 2022 janë shpallur në total 1070 vende të lira, nga të cilat janë plotësuar 830 prej tyre, apo rreth 78%.

Ndërsa 240 vende të tjera janë ende të paplotësuar. Në dokumentin që është paraqitur për tu diskutuar në parlament shkak është se në disa pozicione kërkohet specializim në një fushë të veçantë, e për këtë ka vështirësi për t’u gjetur punonjës.

Konkretisht mungesa është vërejtur në rastet kur kërkohet një diplomë universitare në profilin agronomi, veterinari, zootekni, shkenca inxhinierie, natyrore, mjedisore etj.

 Gjithashtu mungesa ka edhe për staf akademik që zotërojnë një “doktoraturë” pozicion që është hapur në qendrat e transferimit të teknologjive bujqësorë, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Qytetet që kanë më shumë mungesa janë Ballshi, Shkodëra, Gramshi, Puka, Lushnja, Pogradeci, Mallakastra, Gjirokastra dhe Kruja.

Vlen të përmendet se nga 830 të punësuar, 597 i përkasin kategorisë së lartë drejtuese, 175 të tjerë si nënpunës të thjesht dhe 58 të kategorisë së mesme drejtuese.